Shfuqizimi i “Balancuesit”, BDI: Do të ngjallë pakënaqësi tek qytetarët
Shfuqizimi i “Balancuesit” nxiti reagime në bllokun opozitar shqiptar...

Shfuqizimi i “Balancuesit” nxiti reagime në bllokun opozitar shqiptar. Bashkimi Demokratik për Integrim alarmon se mund të ngjallen pakënaqësi te qytetarët, pasi që shfuqizohet një instrument punësimi, në mungesë të zgjidhjes së re.
“Ligji nuk ekziston, është akoma në ajër dhe mendoj që është shumë e papjekur dhe joserioze të bisedohet për një zgjidhje që nuk ekziston akoma dhe të ndërpritet një zgjidhje që për momentin është një mekanizëm i cili ka funksionuar, por normal që ka pasur edhe dobësitë e veta. Nëse kjo shkon në favor të politikës së VMRO – DPMNE-së, duke marrë parasysh premtimet e tyre se do të vepronin në këtë drejtim, mendoj që do të ngjallë pakënaqësi te qytetarët.”, - deklaroi Arbana Pasholli nga BDI.
Andonovski: Do të përgatitet ligj i ri
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, kuadër i VMRO – DPMNE-së, siguron se periudhën që vjen do të përgatitet ligj i ri në dikasterin e administratës nëpërmjet një debati të gjerë.
Ai shprehet i hapur t’i përgjigjet kësaj sfide, nëse instrumenti i ri do të ishte digjital. Megjithatë, Andonovski është i mendimit se përfaqësimi i etnive do të mund të rregullohej edhe nëpërmjet një metodologjie të ligjit adekuat, duke ia lënë në dorë menaxhuesit të institucionit.
“Kjo të rregullohet madje edhe me ligjin ekzistues, me një metodologji të posaçme dhe ne nëpërmjet detyrës zyrtare të kemi kujdes, por gjithsesi edhe të ketë kontroll mbi atë se a kemi mbajtur llogari për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione. Në këtë mënyrë do të garantohet se punësimet do të jenë sipas sistemit meritor dhe njëkohësisht do të garantojmë që secili institucion ka përfaqësim adekuat.”, - deklaroi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Ligjin e ri e kanë paralajmëruar edhe nga koalicioni VLEN, me të cilin synojnë avancimin e “Balancuesit”, por paraprakisht s’do të anashkalonin debatin e gjerë publik. Ligji mund të hyjë në procedurë parlamentare pas një muaj e gjysmë. (Meral Ismaili, TVM2)
