Lindja e Mesme, Netanjahu kërcënon Libanin
Grupet pro-iraniane janë në shënjestër të forcave ajrore izraelite...

Grupet pro-iraniane janë në shënjestër të forcave ajrore izraelite. Bejruti, por edhe Damasku janë nën sulm, ku ka edhe viktima civile. Flamuri izraelit është ngritur në Libanin jugor, forcat tokësore po zgjerojnë operacionin në perëndim. Ndërsa infrastruktura e Hezbollahut po shkatërrohet.
“Forcat tona operojnë dhe lokalizojnë dhjetëra infrastruktura luftarake nëntokësore. Ne shkatërruam një tunel që kalon 10 metra në tokën izraelite, por pa dalje në fund.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniel Hagari.
Netanjahu po i kërkon popullit libanez të ngrihet kundër Hezbollahut, në mënyrë që të mos pësojë fatin e Gazës.
"Ju keni një mundësi për të shpëtuar Libanin përpara se ai të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë, që do të çonte në shkatërrim dhe vuajtje, siç shohim në Gazë.", - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Nasrallahu u eliminua, me gjasë edhe zëvendësi i tij. Kur të pastrohet tymi dhe mjegulla, Irani do të kuptojë se ka humbur thesarin e tij më të çmuar, Hezbollahun.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Pas udhëtimit të vonuar të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Gallant, në ShBA, Bajden dhe Netanjahu komunikuan në telefon. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një zgjidhje diplomatike të krizës.
"Ne mbështesim përpjekjet e Izraelit për të degraduar aftësitë e Hezbollahut. Por, në fund të ditës ne duam të shohim një zgjidhje diplomatike të këtij konflikti. Ne besojmë se kjo është e vetmja rezolutë, që do të mundësojë siguri reale dhe të qëndrueshme si për popullin izraelit, ashtu edhe për atë libanez.”, - deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Hezbollahu intensifikon sulmet në Haifa. Presidenti iranian akuzoi ShBA-në dhe Evropën për standarde të dyfishta.
“Evropa dhe Amerika kanë krijuar një qeveri barbare këtu në rajon dhe ata që pretendojnë se mbështesin të drejtat e njeriut po e mbrojnë atë. Është shumë interesante, ata flasin për të drejtat e njeriut dhe na thonë - pse ekzekutuat një vrasës? Por, askush nuk i pyet izraelitët – pse vratë gra dhe fëmijë të pafajshëm?”, - theksoi presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, gjithashtu bëri thirrje për t'i dhënë fund dhunës. Ai i kërkoi Netanjahut të tërheqë projektligjin që mund të pengojë UNRVA-n të vazhdojë punën e saj në territorin e pushtuar palestinez.
Ndërkohë, mjekët pa kufij thonë se veriu i Gazës është një shkretëtirë e pajetë, pasi tre spitale u urdhëruan të evakuoheshin. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
