Erdogani nis vizitën në Shqipëri, nënshkruhen disa marrëveshje
Avioni i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan preku tokën shqiptare në orën 11:00...

Avioni i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan preku tokën shqiptare në orën 11:00, për të nisur këtë 10 tetor vizitën e tij shtetërore në Shqipëri.
Forca të shumta policie dhe eskorta me më shumë se 10 makina shoqëruese, e shoqëruan nga Rinasi drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që ishte mbushur me flamuj të Turqisë e ato kombëtarë.
Ndalesën e parë, Erdogani e pati në Presidencë, te homologu i tij Bajram Begaj, ku u prit me ceremoni shtetërore. Vetëm pak metra nga Presidenca, e priti kryeministri Edi Rama, ku shtrëngimit të duarve nuk u mungoi as përqafimi. Pas takimit kokë më kokë dhe atij të Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi, i dyti në radhë, u nënshkruan edhe disa marrëveshje.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Rama njoftoi dhurimin e dronëve kamikazë nga Turqia, ndërsa Erdogani kërkoi që t’i jepej fund organizatës FETO.
Pjesë e vizitës së tij është edhe inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë pas 9 vitesh punime, ndërsa pas Tiranës, presidenti turk udhëton drejt Beogradit, aty ku do të ketë takime me krerët e shtetit serb. (Luljeta Ndoka, TVM2)
