Shfuqizimi i “Balancuesit”, Kadriu: Arsyetova dhe votova kundër
Përmes miratimit të një ligji...

Përmes miratimit të një ligji duhet të parashikohet të rregullohet elementi i përkatësisë etnike, sepse nëse nuk miratohet një ligj i tillë, pozita kushtetuese do të mbetet vetëm dëshirë e mirë e parealizuar, vlerësoi gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu.
Vetë Kadriu gjatë shfuqizimit të “Balancuesit” kishte votuar kundër dhe kishte dhënë arsyetime se nuk ka bazë juridike që të bëhet shfuqizimi i dispozitave në fjalë.
“Me shfuqizimin e dispozitave, Gjykata Kushtetuese i abrogon të drejtën e përfaqësimit të bashkësive tjera jo-shumicë në RMV. Kemi të bëjmë me një shkelje flagrante kushtetuese, për shkak se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është kategori kushtetuese, është norma kushtetuese. Në amendamentin 6 të miratuar në vitin 2001, parashikohet që të sigurohet dhe të sanksionohet me normë kushtetuese përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i pjesëtarëve i të gjitha bashkësive nacionale në Maqedoninë e Veriut.”, - deklaroi gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu.
Kadriu: Vakumi juridik të plotësohet me ligj
Kadriu po ashtu thekson se tash RMV-ja në këtë drejtim ka një kaos juridik në shoqëri, për shkak se edhe konkurset të cilat kanë qenë të shpallura, ato ndërpriten. Rrugëdalja e mëtutjeshme është, sipas Osmanit, që Kuvendi të miratojë një ligj.
“Rrugëdalja e mëtutjeshme është se Parlamenti i Maqedonisë, i cili është kompetent për të sjellë ligj për këtë çështje, patjetër dhe sa më shpejt, që mos të jetë ai vakum juridik shumë i madh në mos realizimin e kësaj të drejte fundamentale, të sjellë ligj adekuat. Përkatësia nacionale është kategori kushtetuese dhe është element i cili nuk mund të shmanget dhe përsëri duhet të përdoret.”, - theksoi gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu.
Vendimi u miratua me 6 vota, vetëm të palës maqedonase, e ku sipas Kadriut, nuk përjashtohet mundësia të ketë pasur presion politik që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë “Balancuesin”. (Fitim Kryeziu, TVM2)
