Heqja e “Balancuesit”, Sela: Goditje në identitet

10.10.2024 16:10

Heqja e “Balancuesit” me domino efekt...

Heqja e “Balancuesit” me domino efekt edhe ndaj mekanizmave të tjerë, sikurse badenterit, si dhe pengimin e majorizimit, vlerëson Zijadin Sela nga ASh-ja. Sipas tij, vendimi i gjykatës ishte etnik dhe jo i ekspertëve, duke goditur Marrëveshjen e Ohrit e që mund të shpie edhe në destabilizime politike, pasi preket jo vetëm identiteti i shqiptarëve, por edhe i vetë maqedonasve, nga të cilët pret reagim.

Sela ftoi për ndërhyrje faktorin ndërkombëtar, por edhe unifikim të politikbërjes shqiptare, pasi mungojnë garancitë se Gjykata Kushtetuese s’do ta rrëzojë ligjin për përfaqësim të drejtë etnik.

“Ne na duhet unifikim. E vetmja formë për të bllokuar këto tendenca dashakeqe të cilat dikush i gatuan në kuzhina që nuk na duan të mirën. Jepu përgjigje, se a do mundesh të parandalosh suspendimin po njësoj të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kur parimi i rrëzimit të “Balancuesit”, është rrëzimi i përkatësisë etnike?!”, - deklaroi Zijadin Sela nga ASh-ja.

Taravari: Me ligj do të rregullojmë përfaqësimin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se heqja e “Balancuesit” është iniciativë e para pesë viteve dhe tani gjendemi në një momentum të ri të realizimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të etnive me ligj.

Sipas Taravarit, ligji është gati dhe pas marrjes së mendimit të ekspertëve ndërkombëtarë, shumë shpejtë do të kalohet në Kuvend.

“Ligji është mekanizëm shumë më i mirë se sa instrumenti apo mekanizmi i “Balancuesit”. Uroj që të kemi përkrahje, sepse përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve është kategori kushtetuese. Kjo është e pakontestueshme. Çdo gjë që është në Kushtetutë duhet të rregullohet me ligj.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Minçev: Të mos shpejtohet me ligjin

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, konsideron se nuk duhet të shpejtohet me përmbajtjen e ligjit, por të ketë një debat të gjerë që mos të gjendemi në një situatë të tillë sikurse tani.

“Ideja  për firmosje të një deklarate tek noteri për ndjesinë e përkatësisë etnike, për mua është ofenduese. Andaj them se është mirë të bien tensionet dhe me koka të ftohta të hapet një debat i gjerë, të përfshihen edhe ekspertët e reformave të administratës publike, akademikët, OJQ-ja, me qëllim që të gjendet zgjidhje afatgjatë përmbajtjesor.”, - u shpreh ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi “Balancuesin” si mekanizëm për  punësime të barabarta etnike me arsyetimin se nuk përmbush synimet që ka, ndërkohë që me vendimin nuk cenohet e drejta etnike. (Meral Ismaili, TVM2)