Pamje apokaliptike në Florida, Uragani “Milton” me erëra vdekjeprurëse

10.10.2024 17:00

Uragani “Milton” ka zbarkuar në Floridë...

Uragani “Milton” ka zbarkuar në Floridë si stuhi e kategorisë së pestë, duke goditur ashpër brigjet e këtij shteti, që ende nuk është ngritur në këmbë nga uragani tjetër “Helene”, që ka lënë mbi 230 njerëz të vdekur më pak se dy javë më parë.

Edhe gjatë natës është raportuar për të vdekur në brigjet lindore të Floridës, ndonëse numri nuk është bërë i ditur. Erërat e stuhisë “Milton” kanë arritur shpejtësinë deri në 160 kilometra në orë. Situata në rajonin e Tampasit është emergjente, për shkak të niveleve të rritura të ujit.

Më shumë se 3 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike. Rreth 125 shtëpi janë shkatërruar para se uragani të zbarkonte.

Por, parashikimet janë të frikshme, pasi rritja maksimale e stuhisë mund të shkaktojë pamje apokaliptike. Banorët janë bërë gati për më të keqen.

"Orët në vazhdim pritet që do të vijnë  shumë e shumë përmbytje të tjera. Qarqe të shumta kanë raportuar dëme nga tornado. Rritja maksimale e stuhisë parashikohet të jetë midis 5 dhe 13 këmbë, në varësi të vendit ku jeni në Bregun e Gjirit të Floridës. Për momentin, kulmi i stuhisë duket të jetë midis linjës së qarkut Sharllot Li deri në ishullin Ana Maria dhe në Manate Kounti.", - deklaroi guvernatori i Floridës, Ron Desantis.

“Unë e kam emrin tim këtu, në krahë, në rast përmbytjesh më të mëdha dhe nëse askush nuk e di se ku jam. Është më mirë që njerëzit të dinë identitetin tim, për çdo rast. Kjo është më e keqja që do të vijë. Pra, shpresojmë që të gjithë të jenë të sigurt dhe të mos ndodhë më e keqja.”, - tha një banore vendase.

"Ne kemi evakuuar rreth 200.000 njerëz. Por, sfida është se ka ende njerëz atje. Oficerët tanë shkojnë derë më derë duke u përpjekur të bindin njerëzit të evakuohen, sepse ka nga ata që nuk e dinë rrezikun që e pret vendin. Qëllimi ynë është të shpëtojmë jetë. Sa më shumë njerëz të evakuohen, aq më shumë jetë mund të shpëtojmë.”, - theksoi shefi i Policisë në Tampa, Li Berkav.

Presidenti amerikan, Xho Bajden, ka thënë se Miltoni do të jetë “ndër uraganet më shkatërruese të shekullit” dhe u bëri thirrje banorëve që të evakuohen.

“Evakuimi është ndoshta i vështirë, kështu që unë inkurajoj njerëzit të kërkojnë strehim më të sigurt. Ndonjëherë lëvizja vetëm disa milje mund të nënkuptojë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.

Presidenti Xho Bajden njoftoi se ishin vënë në funksion mijëra pjesëtarë ekipesh federale, duke përfshirë mbi 1.000 anëtarë të rojës bregdetare, për të ndihmuar zonat e prekura. “Miltoni” është uragani i tretë që godet Floridan këtë vit dhe i pesti në të gjithë ShBA-në. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)