RMV-ja e shënon “11 Tetorin”- Ditën e Kryengritjes Popullore kundër fashizmit

11.10.2024 12:15

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet “11 Tetori”...

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet “11 Tetori” - Dita e Kryengritjes Popullore, kur populli u ngrit në kryengritje të armatosur kundër fashizmit në vitin 1941.

Me këtë rast presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, në urimin e saj drejtuar qytetarëve tha se 11 Tetori është momenti historik që përcaktoi të tashmen dhe të ardhmen tonë.

"Për 33 vitet e fundit, ne kemi luftuar për njohjen e pavarësisë dhe për të fituar një vend të merituar në familjen evropiane dhe në organizatat ndërkombëtare, për ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë", tha Siljanovska.

Edhe kryeministri, Hristijan Mickoski, në një mesazh urimi me rastin e “11 Tetorit” tha se nëse gjyshërit tanë synonin çlirimin e vendit, qëllimi ynë është zhvillimi i Maqedonisë.

“Ne jemi të vendosur para qytetarëve se do të punojmë me përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjësi për ta kthyer shtetin në duart e qytetarëve dhe po punojmë për këtë përmes reformave, projekteve dhe ndryshimeve specifike që janë kyçe për rifillimin e institucioneve dhe sistemit”, thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski.

Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në fjalimin e tij me video me rastin e Ditës së Kryengritjes Popullore, ka bërë një paralele mes luftës partizane për liri dhe shtetin e vet në vitin 1941 dhe betejës së sotme para së cilës qytetarët dhe shteti po përballet.

“Nëse beteja atëherë ishte për liri dhe të drejtat e njeriut, betejat e sotme janë për një Maqedoni stabile, të integruar dhe të begatë. Ne mund ta realizojmë më së miri prosperitetin tonë të integruar me aleatët tanë evropianë si anëtare e plotë dhe e barabartë e Bashkimit Evropian.”, thotë Filipçe në fjalimin e tij.