Floridë, 15 të vdekur nga uragani “Milton”
Të paktën 15 persona kanë vdekur...

Të paktën 15 persona kanë vdekur si pasojë e erërave nga uragani “Milton” në Floridë, kanë thënë zyrtarët, megjithëse stuhia nuk ka qenë në përmasat katastrofike, siç ishte parashikuar.
Uragani ka lënë rrugë të bllokuara, si pasojë e rrëzimit të drunjve dhe kabllove elektrike. Rreth 3 milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.
Ekipet e shpëtimit po punojnë në pastrimin e terrenit.
“Këtu jemi me ekipet zjarrfikëse dhe me barka po i nxjerrin të moshuarit, të cilët ishin bllokuar në shtëpitë e tyre.”, - theksoi sherifi i qarkut Hilsboro, Çad Kronister.
Banorët e rajoneve të prekura nga uragani me shpejtësi prej mbi 200 kilometrash në orë, pas kthimit në shtëpi po i gjejnë shtëpitë e shkatërruara.
“Kjo ishte shtëpia ime. Kur e shihni nuk ju besohet se është e mundur të ndodhë, thjesht është shkatërruar.”, - tha banorja e Floridës, Natasha Dukre.
“Vendosëm të qëndronim në shtëpi. Këtë shtëpi e ka ndërtuar babai im, por sapo perëndoi dielli gjendja u përkeqësua. Me të vërtet nuk mund të përshkruhet.”, - tha banori i Floridës, Kristijan Burg.
Megjithëse uragani është dobësuar, sipas autoriteteve rreziku nuk ka kaluar plotësisht, ekziston rreziku për vërshime për shkak të rritjes së nivelit të ujit në liqene.
Uragani “Milton” ka arritur në brigjet e Floridës si stuhi e kategorisë së tretë, duke goditur ashpër këtë rajon, që ende nuk është ngritur në këmbë nga uragani paraprak “Helene”, i cili e ka goditur vendin dy javë më parë, duke shkaktuar vdekjen e 237 personave. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
