Prokuroria dhe MPB-ja, hetime për zjarrin në ndërtesën në Çair

11.10.2024 14:46

Prokuroria Publike dhe policia...

Prokuroria Publike dhe policia kanë filluar hetimet në ndërtesën në Seravë të komunës së Çairit, ku më 2 tetor shpërtheu zjarr. Sipas MPB-së, hetimet po kryhen pasi paraprakisht Sektori i Punëve të Brendshme - Shkup ka kryer të gjitha përgatitjet dhe siguroi qasjen në këtë objekt.

“Prokuroria Themelore Publike - Shkup dhe ekipet policore i kanë filluar hetimet në ndërtesën në rrugën “Prohor Pçinski” në Çair, ku më 2 tetor shpërtheu zjarr në bodrum. Qasja në objekt bëhet nën kontroll të rreptë dhe fillimisht në prezencë të banorëve po kryhet regjistrimi i gjësendeve dhe dëmeve të shkaktuara në njësitë banesore. Hapësirat e bodrumit, nga ku sipas informacioneve fillestare është përhapur zjarri, po sigurohen ende për qasje dhe ekzaminim të shkaqeve.”, - deklaroi Goce Andreevski nga MPB-ja.

Sipas MPB-së kohëzgjatja e veprimeve hetimore në terren do të varet nga koha e nevojshme për mbledhjen e të gjitha provave.

Zjarri në këtë ndërtesë ka prekur rreth 100 familje, të cilat janë në pritje të hetimeve dhe analizave, nëse ato mund të kthehen në banesat e tyre.

Zjarri ishte aktiv rreth 30 orë, ndërsa janë djegur 1.000 metra katrorë hapësirë që përdoreshin si depo.

Ekipet e shpëtimit u detyruan t’i evakuojnë banorët e kateve të sipërme. Për shkak të tymit të madh, mbi 40 banorë kërkuan ndihmë mjekësore disa prej të cilave morën edhe trajtime spitalore. (Leunora Kaliqi, TVM2)