Shfuqizimi i “Balancuesit”, BDI: Nuk ka miratuar asnjë strategji

11.10.2024 15:45

BDI-ja mohon informacionet...

BDI-ja mohon informacionet se gjatë kohës kur ishte në pushtet ka miratuar strategjinë për shfuqizimin e “Balancuesit”.

Nga kjo parti thonë se strategjia e cila përmendet, asnjëherë nuk është mbështetur nga BDI-ja dhe e njëjta nuk ka marrë “dritë të gjelbër” për ta shfuqizuar.

Madje sqarojnë se heqja e “Balancuesit”, de fakto gjendet në strategjinë për reformimin e administratës, propozues të së cilës janë ministrat e asaj kohe, që sot përbëjnë koalicionin VLEN.

“Strategjitë dhe aktet normative miratohen në Kuvend, ndërsa ajo në Kuvend nuk ka ardhur. D.m.th. ne nuk mund të themi se është e miratuar ku aty ku nuk mund të miratohet. Ajo duhej të miratohet në Kuvend. BDI-ja e ka kundërshtuar fuqishëm gjithmonë zhbërjen e përfaqësimit të drejtë dhe MO-së dhe si provë për këtë është edhe vetë fakti se ligjet që kanë ardhur pas propozimit të asaj strategjie në Kuvend, të cilat fillimisht kanë kaluar në Qeveri, kanë qenë ligje në dispozitat e të cilave gjendet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.”, - deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Për BDI-në, shfuqizimi i “Balancuesit” është goditje e drejtpërdrejtë e një prej postulateve më kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.

Pavarësisht kësaj, BDI-ja tani pret për ta parë propozim-ligjin e ri, të cilin e paralajmëroi VLEN-i, edhe pse janë pesimistë se do të mund të rregullohet përfaqësimi i drejtë.

“Ndoshta do të kishte efekt një ligj i posaçëm për ta përmirësuar situatën, por në momentin kur Gjykata Kushtetuese ndalon të drejtën e qytetarëve për ta treguar përkatësinë e tyre etnike, ligji të cilin po mundohen që ta manipulojnë publikun koalicioni VLEN, bëhet ligj pa objekt rregullimi. Çfarë do të rregullojë ai ligj? Si do ta mbrojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, kur ne nuk do të kemi të drejtë t’u themi njerëzve të deklarojmë përfaqësimin etnik, e thjesht si do të rregullojë diçka që nuk ekziston. Prandaj do të presim, do të shohim se çfarë zgjidhje do të ofrojnë, ndoshta janë më kreativ dhe kanë shkuar përtej kësaj që e themi ne?”, - theksoi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Lëvizja “E di”: Identiteti etnik nuk duhet të jetë privilegj

Nga ana tjetër, kryetari i partisë “E di”, Maksim Dimitrievski, pjesë e përbërjes qeveritare, përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe thotë se përkatësia etnike nuk duhet të jetë kusht për t’u punësuar apo avancuar.

“Qëndrimi i Lëvizjes “E di”  është i qartë. Të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta të barabarta, ndërsa identiteti etnik nuk duhet të jetë privilegj gjatë punësimeve. Në vend se të angazhohemi për sasinë politike, ne duhet të angazhohemi thelbësisht që të fitojmë kualitet dhe t’u japin shans më të mirëve, pavarësisht se cila përkatësi etnike është.”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski.

Nga koalicioni VLEN thanë se iniciativa për heqjen e “Balancuesit” si mekanizëm është prej para pesë vitesh. Nga ky koalicion thonë se aktualisht po punohet në përpilimin e zgjidhjes së re ligjore, në të cilën të do të inkorporohen mendimet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, paralajmëroi se propozim-ligji që do të rregullojë çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, shumë shpejtë do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim. (Rexhep Qamili, TVM2)