Lindja e Mesme, gjendja vazhdon të mbetet e tensionuar

11.10.2024 16:19

Së paku 18 njerëz janë vrarë dhe 92 të tjerë janë plagosur...

Së paku 18 njerëz janë vrarë dhe 92 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite në Bejrut, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë. Po ashtu mbi 100 persona janë lënduar.

Izraeli ka thënë se cak i sulmit ka qenë një komandant i Hezbollahut, i cili thuhet se i ka mbijetuar sulmit. Edhe Hezbollahu është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë. Forcat izraelite kanë vazhduar edhe me operacionet tokësore në Liban.

“Ky është një fshat shiit në Liban, në afërsi të kufirit me Izraelin. Secila shtëpi është bazë e terrorit. Këtu ka pajisje që i presin forcat e Hezbollahut, jelekë, helmeta dhe mina. Sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara këtu duhet të jetë pastër.”, - deklaroi  zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Në ndërkohë banorët e Izraelit veriorë janë paralajmëruar nga rreziku i infiltrimeve terroriste. Po ashtu njoftohet edhe për 27 të vrarë gjatë një sulmi izraelit në një shkollë në Gazë ku po strehoheshin palestinezë të shpërngulur.

Tensione edhe në bregun perëndimorë ku është vrarë një lider i xhihadit islamik. Kombet e Bashkuara kërkojnë nga Izraeli dhe Libani, që të ndërpresin ashpërsimin e mëtejmë të konfliktit.

“Palët në konflikt patjetër t’i shfrytëzojnë opsionet diplomatike, e jo armët.”, - deklaroi zëvendëssekretarja e përgjithshme e OKB-së, Rozmari Di Karlo.

“Izraeli nuk e ka kursyer infrastrukturën civile në agresionin e tij. Pyesim a është ky operacion preciz kirurgjik ushtarak për të cilin ata flasin.”, - theksoi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Libanit në OKB, Hadi Hahem.

“Ky konflikt ka filluar me vendim të Hasan Nasrallahut, duke e ditur se do të sjellë viktima në Liban dhe Izrael. Edhe ky këshill u paralajmërua më 27 shtator, dola para jush dhe ju ftova të veproni para se të bëhet vonë.”, - u shpreh përfaqësuesi i Izraelit në OKB, Deni Danon.

Ndërkohë ushtria izraelite po e përpilon edhe strategjinë për hakmarrje ndaj Iranit, ndërsa ShBA-ja po angazhohet për zgjidhje diplomatike.

“Po angazhohemi intensivisht që të pengojmë konflikt më të gjerë në rajon, t’i kthejmë pengjet, të fitojmë ndihmë për Gazën dhe ta ndërpresim konfliktin. Të përkrahet zgjidhje diplomatike në Liban, të mbështetet e drejta e Izraelit që të mbrohet nga Irani dhe mbështetësit e tij.”, - theksoi sekretari shtetëror i ShBA-së, Entoni Blinken.

Vendet e Gjirit Persik kanë alarmuar se hakmarrja izraelite ndaj Iranit, mund t’i rrezikojë edhe kapacitetet e tyre të naftës, prandaj i kërkojnë ShBA-së që të ndikojë për uljen e tensioneve. (Armend Murseli, TVM2)