Shënohet “11 Tetori”, mesazhe unifikimi për një të ardhme evropiane

11.10.2024 16:57

Lufta për drejtësi dhe shtet ligjor vazhdon...

Lufta për drejtësi dhe shtet ligjor vazhdon, ju ftoj që t’i tejkalojmë ndarjet e ndërsjella dhe të bashkohemi në luftën e përbashkët për një shtet prosperues evropian dhe për një shoqëri të drejtë, tha presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë fjalimit në  Akademinë Solemne, me rastin e “11 Tetorit” - Ditës së Kryengritjes Popullore, ditën kur populli u ngrit në kryengritje të armatosur kundër fashizmit në vitin 1941.

“Kur flasim për drejtësinë nuk mendojmë vetëm për gjyqësorin, por mendojmë për vendosjen e drejtësisë edhe në aspektin shoqëror, ekologjik dhe të drejtën e gjeneratave. Çdo gjeneratë përballet me sfida të reja. Për 33 vitet e fundit, ne kemi luftuar për njohjen e pavarësisë dhe për të fituar një vend të merituar në familjen evropiane dhe në organizatat ndërkombëtare, për ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë. Lufta për të drejtat tona, por edhe për shtet ligjor vazhdon.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.

Mesazhe për unifikim me rastin e “11 Tetorit” ka dërguar edhe kryeministri, Hristian Mickoski  dhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.

“Si gjeneratë politikanësh nuk kemi një shans të dytë dhe këtë shans dhe besim që na e keni dhënë duhet ta shfrytëzojmë dhe të nxjerrim maksimumin prej tij. Ia detyrojmë të tashmes, por edhe gjeneratave të ardhshme, të cilëve duhet t’i sigurojmë për të ndërtuar një të ardhme këtu, sepse është një amanet nga ata para nesh. Vetëm së bashku maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllahët, boshnjakët mund të ndërtojnë unitet, të ardhme dhe prosperitet.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.

“Nëse beteja e atëhershme ishte për liri dhe për të drejtat e njeriut, betejat e sotme janë për një vend stabil, të integruar dhe të prosperuar. Prosperitetin tonë mund ta realizojmë më lehtë dukë qenë të integruar me aleatët tanë evropianë si anëtar ligjor i plotë dhe i barabartë në BE. E ardhmja evropiane e vendit tonë është synimi strategjik i brezit të ri dhe askush nuk ka të drejtë t’ua rrëmbejë këtë qytetarëve.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Me rastin e kësaj dite, delegacionet nga Kuvendi dhe Qeveria vendosën lule në Shkup, Prilep dhe Kumanovë. Ndërkohë në Kuvend u nda çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2024 dhe ajo që ra në sy është se asnjëri prej fituesve nuk ishte shqiptar. Për shkak të kësaj feste, 11 tetori është ditë jo pune për të gjithë qytetarët. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)