Shfuqizimi i “Balancuesit”, Mexhiti: Nuk rrezikohet punësimi i shqiptarëve

11.10.2024 17:40

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, është i bindur se shfuqizimi i “Balancuesit” nuk do të rrezikojë punësimin e shqiptarëve në administratë.

Madje Mexhiti gjatë një takimi me gazetarët tha se në të kaluarën kur s’ka qenë në fuqi mekanizmi i “Balancuesit”, janë bërë më tepër punësime me marrëveshje politike.

Gjithsesi u shpreh se Qeveria përmes një ligji për përfaqësim të drejtë do të gjejë zgjidhje të përshtatshme për punësimet në administratën publike.

“Rastësisht apo jo, dje Ministria e Financave miratoi 38 punësime në Ansamblin e këngëve dhe valleve, njëjtë do të vazhdojë edhe me Ansamblin muzikor. Këtu duhet ta marrim parasysh edhe një analizë të ish-ministrit të Administratës, Admirim Aliti, i cili ka nxjerrë në pah se shqiptarët më mirë janë përfaqësuar me marrëveshje politike, kur janë hapur konkurset me 500-700 punësime, se sa  kur është vendos mekanizmi i “Balancuesit” dhe dua të rezimoj me atë që përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike në Maqedoni të Veriut është kategori kushtetuese dhe këtë nuk mund ta abrogojë ashtu.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.

Sipas Mexhitit, problemi esencial qëndron në atë se partitë shqiptare në të kaluarën i kanë dhënë “luksin” Gjykatës Kushtetuese, që me shumicë të thjeshtë të shfuqizojë vendime, që janë miratuar me parimin e Badenterit.

“Ky është defekti kryesor që e kanë lënë këto që qajnë, sepse po të ishte ndryshe, në seancën për “Balancuesin” tre gjykatësit shqiptarë dhe një turk kanë votuar kundër dhe nuk do të abrogohej mekanizmi për “Balancuesin”. Qeveria e tanishme ka kapacitet politik, demokratik, që të gjejë zgjidhjen që do të respektojë kategorinë kushtetuese, përfaqësimin adekuat të shqiptarëve dhe të tjerëve në administratën publike dhe shtetërore, duke mos i dhënë shans Gjykatës Kushtetuese që ta abrogojë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.

Mexhiti theksoi se në ditët në vijim do të hapet debati publik në të cilën do të përfshihen ekspertë të fushës dhe profesorë universitarë, ku do të diskutohet rreth ligjit për përfaqësim të drejtë, të cilin faktori politik shqiptar në Qeveri po e paralajmëron. (Ersan Pajaziti, TVM2)