BDI, kritika ndaj VLEN-it për politikat në arsim

11.10.2024 17:54

BDI-ja opozitare ka kritikuar koalicionin VLEN...

BDI-ja opozitare ka kritikuar koalicionin VLEN për politikat e deritanishme në sferën e arsimit, konkretisht në arsimimin shqiptar. Sipas BDI-së, VLEN-i gënjeu dhe mashtroi për programin Erasmus shqiptar, për sigurimin e mjeteve të UNT-së në Shkup, për unifikimin e abetares shqiptare, ndërsa rritjen e fundit të pagave në arsim i quajnë simbolike.

“I pyesim publikisht përfaqësuesit e VLEN-it a ka ndonjë dokument në Qeveri apo në MASh, ku parashihet një shkëmbim i këtillë Erasmus ndërmjet universiteteve shqiptare. Po ashtu a ka ndonjë denarë apo mjet buxhetor të paraparë qoftë me rebalancin e buxhetit të vitit 2024 apo planifikojnë ta parashohin në buxhetin e vitit 2025. VLEN-i po ashtu publikisht mashtroi se janë alokuar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nëna Terezë” në Shkup. Deri më sot asnjë mjet i vetëm nuk është alokuar as në buxhetin e MASh-it, e as në UNT. E vërteta është se me rebalancin e buxhetit vetëm u shkurtuan mjetet për universitetet shqiptare. Po ashtu kjo Qeveri nuk arriti të rritë bursat studentore dhe rritja e vetme e fundit që mbetet është ajo që kaloi nga Qeveria e kaluar. VLEN-i mashtroi edhe për abetaren e unifikuar shqiptare, gjoja se ata e aprovuan. E vërteta që dihet botërisht është se abetarja është nga Qeveria në mandatin e  kaluar.”, - deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.