Rama takon Orbanin në Hungari, më 15 tetor, Shqipëria hap negociatat me BE-në
Më 15 tetor në Luksemburg, Shqipëria do të hapë negociatat...

Më 15 tetor në Luksemburg, Shqipëria do të hapë negociatat për kapitullin e parë të negociatave. Gjatë konferencës së përbashkët të kryeministrit Rama me homologun hungarez në Budapest, Viktor Orban, tha se është i lumtur që kjo ngjarje ndodh gjatë kohës që Hungaria drejton presidencën e BE-së.
“Javën e ardhme do të kemi konferencën ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë e do të hapet grup kapitulli i parë. Dua të përgëzoj Shqipërinë dhe kryeministrin Rama. Jemi krenarë, që kjo vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka presidencën e BE-së.”, - deklaroi Orbani para gazetarëve, pas takimit që pati me kryeministrin Edi Rama.
“Ne kemi parë Hungarinë si shembull e model në administratë, që të jetë sa më efikase dhe një shoqëri ku ka mirëqënie. Duam të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria dhe ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mes dy qeverive janë firmosur dy marrëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe të administratës publike, ndërsa kryeministri zbuloi shifrën e investimeve të Hungarisë në Shqipëri rreth 350 mijë euro. (Luljeta Ndoka, TVM2)
