Munsch, Ura e Ibrit të mos hapet tani

11.10.2024 18:31

Gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutas....

Gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutas ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it në Kosovë gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Enrico Barduani.

Ky i fundit nën shoqërimin e Admiralit Stuart Munsch, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, kanë zhvilluar një takim me krerët më të lartë të shtetit. Ata Fillimisht, kanë takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e më pastaj presidenten Vjosa Osmani.

Admirali Stuart Munsch, në një konferencë për medie, tha se aleanca po kërkon që ura e Ibrit të mos hapet në këtë moment dhe kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut.

Sipas tij, çështja e urës është politike e jo ushtarake dhe se mund të shkaktojë dëm në aspektin e sigurisë së përgjithshme.

“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë kohë. Do t’i nënshtrohet dialogut. Është një çështje politike dhe jo ushtarake. Kjo është për shkak të gjasave që mund të shkaktoj dëm, të ambiente jo të sigurt. KFOR-i mban vija të hapura të komunikimit me të gjitha forcat e sigurisë në zonë. Në këtë kohë nuk kemi një shqetësim sa i përket transparencës”, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralit Stuart Munsch.