Beograd, Erdogan: Marrëdhëniet Turqi – Serbi, në kohë të artë
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan...

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka qëndruar për vizitë në Beograd, ku ka deklaruar se marrëdhëniet në mes Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”.
Erdogani në Beograd është takuar me presidentin serb, Vuçiq, me ç’rast ka deklaruar se "Tani jemi në pozitë që së bashku, dorë për dore, ta ruajmë paqen. Do të bashkëpunojmë në sferën e industrisë. Kemi disa mundësi dhe kapacitete. Ne së bashku duhet t’i shfrytëzojmë ato kapacitete.", ka thënë Erdogani.
Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.
Ndërsa presidenti serb Vuçiq ka thënë se “Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mira ekonomike.”.
Presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.
