Botë
Presion i ashpër ndërkombëtar mbi Izraelin, pas incidentit të bazës UNFIL
12.10.2024 19:10
Izraeli është nën presion të fortë ndërkombëtar...
Izraeli është nën presion të fortë ndërkombëtar pas incidentit të fundit në bazën UNIFIL në Liban, ku u plagosën paqeruajtësit. Tel Avivi e pranoi sulmin, duke pretenduar se ata identifikuan një kërcënim të menjëhershëm dhe u përgjigjën me zjarr. OKB përsëriti se siguria e personelit dhe pronës së OKB-së duhet të garantohet.
"Kjo është arsyeja pse Franca ka bërë thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve. Për të qenë i qartë, kjo nuk është një thirrje për të çarmatosur Izraelin, por për të ndaluar çdo destabilizim të mëtejshëm në rajon. Stabiliteti dhe paqja do të vijnë vetëm përmes zgjidhjeve diplomatike”, u shpreh presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Dënoj ashpër atë që ndodhi në selinë e përgjithshme të UNIFIL. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Logjika është e thjeshtë – Nëse nuk ka armë, nuk ka luftëra”, theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez.
Kryeministri libanez Mikati bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe zbatim të menjëhershëm të rezolutës së OKB-së. Nga ana tjetër, Irani thekson se Izraeli shkel të gjitha marrëveshjet e mundshme ndërkombëtare.
“Thellësia e krizës në Gaza dhe mizoria e aplikuar në luftën e pabarabartë, si dhe vazhdimi i sulmeve barbare në qytetet libaneze, nuk mund të përshkruhen”, u shpreh presidenti i Iranit, Massoud Pezeshkian.
Ndërkohë viktima të reja në Gaza. Dhjetra njerëz vdiqën në sulmin e fundit ajror në kampin e refugjatëve Jabalia.
"Ne vazhdojmë të luftojmë armikun dhe nuk do të ndalemi derisa të sigurojmë se mund t'i kthejmë të sigurtë banorët, jo vetëm tani, por edhe me perspektivën e së ardhmes", u shpreh shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave izraelite, Herzi Halevi.
Për Hezbollahun, prioritet është mposhtja e armikut, por ata thonë se mbeten të hapur për ndalimin e agresionit.
“Sulmi në Tel Aviv është vetëm fillimi, armiku pa shumë pak. Prioriteti ynë absolut tani është ta mposhtim atë dhe ta detyrojmë të ndalojë agresionin e tij. Megjithatë, çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme politike për të arritur një armëpushim është e mirëpritur, për sa kohë që është në përputhje me vizionin tonë të përgjithshëm për betejën”, theksoi zëdhënësi kryesor i Hezbollahut, Mohammad Afif.
Në pritje të një përgjigjeje ndaj sulmit iranian, ushtria e Tel Avivit po forcon praninë e saj në Bregun Perëndimor me disa toga luftarake shtesë. Trupat do të sigurojnë një pengesë sigurie dhe do të përgatisin forcat për skenarë të ndryshëm.
VLORA LATIFI TOPOJANI
