Maqedoni

Bekteshi për pjesmarrjen e BDI-së në qeveri, respektojmë vullnetin e popullit e jo të partive

13.10.2024 15:03

Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kujdes para se të miraton vendime sensitive...

Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kujdes para se të miraton vendime sensitive dhe mund të rrisin tensionet në vendin tonë thotë ish-ministri për ekonomi Kreshnik Bekteshi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
 
Sipas tij BDI po punon intensivisht që kjo të mos ndodhë sepse prioritet i prioriteteve është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. Ata do të mbështesin Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë vetëm nëse garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve.Bekteshi komentoi dhe daljen e Menduh Thaçit nga Fronti Europian, duke shtuar se ai do të veprojë si opozitë dhe do të jetë në kontakt me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.Bekteshi gjithashtu tha se BDI nuk bëhet pjesë e kësaj qeverie me VMRO-DPMNE-në.
 
“Sa i përket mundësisë së realizimit të koalicionit të BDI-së me VMRO-DPMNE-në, ju e dini, dhe këtë e ka thënë edhe Ahmeti dhe të gjithë anëtarët e tjerë, se BDI është për respektimin e plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, për të cilën ne mendojmë dhe jemi të bindur dhe është treguar në praktikë se duke respektuar atë marrëveshje, vendi ynë ka pasur vetëm rezultate pozitive që nga viti 2001 e deri më sot. Por për të qenë më drejt sa i përket një koalicioni të mundshëm, nëse nuk ka zgjedhje të reja, BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë dhe këtë e ka thënë edhe kryetari Ahmeti. Ne duam të kemi besimin e qytetarëve dhe qytetarët të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata dhe jo vullnetin e ndonjë partie politike”, u shpreh ish, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
 
Bekteshi shtoi se kjo qeveri ka prodhuar aq shumë skandale sa edhe nëse protestohet duhet çdo ditë të mbahen protesta.
 
“BDI aktualisht është duke mbajtur takime në të gjitha degët dhe tashmë ka hapur një debat se si duhet të veprojë BDI-ja ndërkohë do ftojmë edhe qytetarët e tjerë të marrin pjesë në këtë. Asgjë nuk funksionon. Fatkeqësisht, ne kemi ardhur në një situatë ku të rinjtë po vdesin në spitale ku nuk mund të gjejnë kujdesin e duhur shëndetësor”, ka deklaruar mes tjerash Bekteshi.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI