Botë

Sholc: Kemi nevojë për një proces normalizimi Kosovë-Serbi

14.10.2024 14:41

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga kancelari gjerman, Olaf Sholc, në kryeqytetin gjerman...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga kancelari gjerman, Olaf Sholc, në kryeqytetin gjerman, ku po mbahet samiti i radhës në kuadër të  Procesit të Berlinit. Në tryezën e parë të samitit të dhjetëvjetorit të procesit të Berlinit, kancelari Sholc u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, për dinamikë të re në normalizimin e marrëdhënieve bilaterale.
 
“Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës.”, - theksoi kancelari gjerman, Olaf Sholc. 
 
Kurti: Kosova të marrë statusin e vendit kandidat në BE
 
Sholc u ka bërë thirrje të dyja vendeve që të mos e shohin të kaluarën si pengesë për të ardhmen evropiane. Ndërsa Kurti, para liderëve të tjerë në samitin e Berlinit, tha se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
"Në dy muajt e ardhshëm do të shënojmë dyvjetorin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Ndërsa shpallim se zgjerimi është sërish në agjendë, është koha  e duhur që Kosova të marrë statusin e kandidatit zyrtar. Në këto tri vjet e gjysmë kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme ekonomike, përparim demokratik dhe stabilitet institucional duke menaxhuar me sukses disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimeve dhe arritjeve të Kosovës gjithashtu konfirmon angazhimin e BE-së për zgjerim dhe vlerat e saj.”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në fejsbuk.
 
Ai njëherit bëri të ditur se qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës nga janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Kosovë, edhe pse e njëjta nuk do të vlejë për shtetasit e Kosovës gjatë udhëtimit në Bosnjë, pasi Republika Serbe nuk lejon ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin boshnjak.
 
GYLTENE SINANI