Maqedoni
Ligji për përfaqësim të drejtë, Taravari: Është përpunuar nga ekspertë ndërkombëtarë
14.10.2024 15:09
VLEN-i e ka gati ligjin që pritet ta zëvendësojë mekanizmin e “Balancuesit”....

VLEN-i e ka gati ligjin që pritet ta zëvendësojë mekanizmin e “Balancuesit”. Kreu ASh-së, Arben Taravari, nuk sheh asgjë të keqe në kërkesën që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të dërgohet në Komisionin e Venecias, sepse është i bindur se nuk do të ketë mendim negativ, pasi siç thotë, është ligj i përpunuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë. Për të është me rëndësi që më në fund të gjithë e kuptuan që ligji ekziston e nuk është thjesht premtim bosh.
“Gëzohem që e keni kuptuar se ka Ligj për përfaqësim të drejtë, se deri para 3-4 ditësh thuhej që nuk ka një ligj të tillë e se z. kryeministër “nuk di” asgjë për këtë ligj. Pra, ka ligj të gatshëm që duhet ta sinkronizojmë dhe koordinojmë dhe s’ka asgjë të keqe nëse kërkohet mendim shtesë, por unë përsëri mendoj se as që kontestohet që ky ligj duhet sa më shpejt të kalojë në Parlament. Nuk mund të marrim mendim negativ, sepse është ligj që është përpunuar me ekspertë ndërkombëtarë, njerëz kredibil me shumë respekt në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
VMRO-DPMNE akuza drejt BDI-së: Firmosën heqjen e “Balancuesit”, tani viktimizohen
Kreshnik Bekteshi nga BDI, ditë më parë paralajmëroi për pasoja të mundshme negative për shkak të shfuqizimit të “Balancuesit”, të cilat mund të çojnë në rritje të tensioneve në vend. Për ta nuk ka rëndësi nëse Komisioni i Venecias do ta miratojë zgjidhjen e propozuar ligjore, pasi sipas tyre, kjo lëvizje është e vonuar. Ndaj BDI-së ka reaguar VMRO-DPMNE. Sipas tyre, derisa ishte në pushtet BDI-ja me LSDM-në, jo vetëm që nuk kundërshtoi, por ka firmosur shfuqizimin e “Balancuesit”, përmes strategjisë për reformën në administratë.
“BDI-ja si qeveri në vitin 2023 ka strategjinë për reformat e administratës publike për periudhën 2023-2030, në të cilën potencohet se po keqpërdoret “balancuesi” dhe se duhet shfuqizuar. BDI-ja e din shumë mirë se heqja e “Balancuesit” është edhe rekomandim i KE-së. Por, kjo nuk i pengon ata kur bëhet fjalë për gjetjen e justifikimeve për destabilizimin. BDI-ja synon të destabilizojë vendin, për hir të shpëtimit të kriminelëve.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, njoftoi se në ekzekutiv ende nuk ka marrë propozim-zgjidhje për përfaqësim të drejtë, pasi Gjykata Kushtetuese e hoqi “Balancuesin”. Ajo potencoi se do të hapet një debat i gjerë.
SANIJE DURAKU
