Maqedoni

Vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, dëshmoi nëna e Vanjës dhe vajza e Pançes

14.10.2024 15:34

Ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit në Veles....

Ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit në Veles. Në cilësinë e dëshmitarit ishte nëna e Vanja Gjorçevskës, Zorica Gjorçevska, e cila tha se nuk i njeh të akuzuarit për vrasjen e vajzës së saj. Ajo dëshmoi se banesa në objektin ku u rrëmbye Vanja ishte e saj, e trashëguar nga babai i saj, por ata ranë dakord që t'ia kalonin ish-bashkëshortit. 
 
“Atë ditë Vanja doli nga shtëpia për në shkollë në orën 7:20. Në momentin që u nisa për në punë vura re se kishte ardhur një mesazh nga klasa, ku thoshte se "Vanja nuk është këtu për orën e parë.". Menjëherë iu drejtova asaj, ajo nuk ishte e disponueshme dhe duke qenë se ndoqa vendndodhjen e saj në Google Maps, e thirra Aleksandrin se Vanja ishte zhdukur.”, - deklaroi nëna e Vanja Gjorçevskës, Zorica Gjorçevska. 
 
Avokati i Lupço Palevskit, Marjan Vitanovski, tha se për momentin nuk ka deklarata që do të tregonin se klienti i tij është i lidhur me krimet për të cilat akuzohet.
 
“Përmes këtyre dëshmive, në asnjë rast dhe situatë nuk mund të pasqyrojnë se klienti imë është i lidhur me akuzat të cilat po i bëhen. Pyetjet e mia drejt Zorica Gjorçevskës ishin se a ka njohuri se bashkëshorti i saj ka pasur ndonjë lidhshmëri apo njohuri me Lupço Palevskin, por e njëjta tha se nuk ka pasur njohuri, pra thjesht nuk janë njohur më parë. Edhe gjatë bisedës me klientin tim, ajo më ka thënë se nuk e ka njohur babain e Vanjës.”, - theksoi avokati i Ljupço Palevskit, Marjan Vitanovski.
 
Edhe avokati mbrojtës i babait të Vanja Gjorçevskës, Aleksandar Gjorçevski, theksoi se dëshmia e sotme e Zoricës, në thelb ka pastruar klientin e tij nga të gjitha dyshimet se ai mund të jetë i akuzuar në zhdukjen, e më pas edhe në vrasjen e vajzës së tij.
 
“Më në fund i pastruan të gjitha spekulimet dhe misteret e ndryshme, të cilat kanë qarkulluar në opinion. E patë se dëshmia e dëshmitares së parë tregon se klienti imë nuk ka kryer asnjë vepër të jashtëzakonshme.”, - u shpreh avokati i Aleksandar Gjorçevskit, Vlladimir Tufekgjiq.
 
Në seancën e sotme dëshmuan edhe vajza e Pançe Zhezovskit, Ana Kirkova dhe bashkëshorti i saj, Todor Kirkov. Në gjykatë ishin të pranishëm edhe të akuzuarit: Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, të cilët në seancën e kaluar u deklaruan të pafajshëm, për çka mbrojtja e tyre do të sigurojë prova shtesë. 
 
FITIM KRYEZIU