Maqedoni
Procesi i Berlinit, merr pjesë delegacioni i vendit
14.10.2024 15:47
Në dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit, liderët e gjashtë vendeve të rajonit ndodhen në Berlin...

Në dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit, liderët e gjashtë vendeve të rajonit ndodhen në Berlin. Në fokus kryesor janë bisedimet për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së. Në kuadër të samitit, përfaqësuesit e vendeve ballkanike nënshkruan Planin e Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut.
“Sot po përmbyllet një proces që zgjat shumë kohë dhe që sjellë rezultate të dukshme, jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për tërë rajonin. Një prej tyre është zhbllokimi i CEFTA-s, pra sërish aktivizimi i tregtisë së lirë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s, i cili do të sjellë beneficione pozitive për tregtinë, biznesin dhe qytetarët. Bisedojmë për ndërlidhjen mes veti për çështjet që lidhen me energjetikën, infrastrukturën, për politikat e veçanta që krijohen për të rinjtë, pra bisedohen shumë gjëra konkrete për procesin e integrimit hap pas hapi të vendeve të rajonit drejt integrimit të plotë në BE.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
Von Der Lejen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, në BE
Procesi i Berlinit gjithmonë ka qenë avokat, arkitekt mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen. Foli edhe për ndihmën e BE-së në kuadër të Planit për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është në BE, ripërsëriti shefja e ekzekutivit të Unionit.
“Sot zgjerimi është në maje të agjendës. Kur mendojmë të ardhmen, e mendojmë të ardhmen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë të Unionit. Për të arritur aty duhet t’i kthehemi mësimeve të zgjerimit të vitit 2004. Parakushtet janë përputhshmëria me vlerat evropiane, respekti për demokracinë dhe sundimi i së drejtës, ndërsa parakushtet e dyta janë integrimi i hershëm ekonomik dhe këtë rol e ka luajtur Procesi i Berlinit.”, - theksoi kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen.
Në samitin e Procesit të Berlinit, përveç kryeministrit, Mickoski dhe minsitrit të Jashtëm, Mucunski, pjesë e delegacionit janë edhe ministri për Eurointegrime Evropiane, Orhan Murtezani dhe ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ku janë paraparë disa takime dypalëshe me zyrtarë të huaj.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
