Maqedoni
Nesër do të fillojë sezoni i ngrohjes, “Energy Ecolink” fton qytetarët të kyçen në rrjet
14.10.2024 16:06
Nesër fillon sezoni i ngrohjes dhe Elektrana e Maqedonisë së Veriut u bën thirrje qytetarëve dhe kompanive që të përgatisin sistemet e ngrohjes....

Me fillimin e sezonit të ngrohjes në rajonin e komunave Çair dhe Butel, kompania për furnizim me avull dhe ujë të ngrohtë "Energy Ecolink", e cila ka marrë menaxhimin e Ngrohtores "Shkup Veri", fton qytetarët që objektet e tyre banesore t’i kyçin në sistemin e ngrohjes. Informojnë se janë bërë investime të mëdha, të cilat do të garantojnë shërbim cilësor të ngrohjes dhe çmime të rregullta.
"Me fushatën tonë synojmë të kyçim edhe objekte banesore që moti kohë janë shkyçur nga rrjeti i ngrohjes. Janë gjithsej 54 objekte banesore. Informojmë se janë bërë investime të mëdha në repartin e prodhimit të energjisë termike, në vendmatësit në ndërtesa. Përveç kontrollit të rregullshmërisë së pajisjes, është bërë edhe verifikimi i matësve nga ana e Byrosë për Metrologji, që faturat e lëshuara për energji termike të jenë të sakta, por edhe duke garantuar shërbim sipas rregullores së paraparë dhe në kohë ndaj të gjitha kërkesave dhe paraqitjet nga ana e klientëve tanë.", njoftojnë nga Kompania "Energy Ecolink".
Qytetarët kërkojnë shërbim dhe çmime më të lira
Ndërkohë, qytetarët e anketuar nga TVM2, theksojnë se shumë vite më parë janë zhgënjyer nga shërbimet e Ngrohtores Veri, andaj kanë vendosur të largohen nga ky rrjet i ngrohjes. Ofrimi i shërbimeve cilësore dhe çmimet më të volitshme për disa do të ishin të pranueshme.
“Ka dhjetë vjet gati që nuk jemi të kyçur fare. Njëra arsye është sepse ishte shumë e shtrenjtë dhe e dyta nuk ishim shumë të kënaqur prej ngrohtores, kështu që u detyruam të shkyçemi e tërë ndërtesa. Të gjithë jemi të shkyçur. Kur ishte më ftohtë nuk i lëshonin si duhet, prandaj u detyruam të largohemi.”, - tha një qytetar.
“Nuk jam, sepse ishin çmimet e larta. Kurse tani, nëse bëhet një çmim i volitshëm besoj se të gjithë banorët e kësaj hyrjeje mund të kyçemi, nëse çmimi është i volitshëm. Gjatë ftohjes kur temperaturat kanë qenë të ulëta, kemi pasur raste, kemi pasur ndërprerje nga 1-2 orë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Unë jetoj në banesë private, kemi ngrohjen private, kështu që nuk jemi të kyçur. Do të kisha dashur të jem e kyçur, shumë është normale, sepse qytetarët dhe të gjithë banorët e Çairit kanë nevojë të jenë me një çmim normal të pranueshëm. Çmimet e tanishme janë të larta për standardin tonë.”, - u shpreh një qytetar.
“Kemi paguar atëherë për ta hequr ngrohjen. Unë isha si kryetar i kësaj banese dhe e kam hequr ngrohjen. Tash kanë vendosur të kyçen prapë, unë nuk jam dakord. Unë s'kam pasur ngrohje se jam në katin e 12-të, kam paguar 5.000 euro përmbaruesin. Tash nuk ka shanse që ta pranojmë atë ngrohje. Verës për çfarë të paguajmë ngrohje, kur ne gjatë verës paguajmë rrymë për ta freskuar.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Nga Ngrohtorja "Energy Ecolink" theksojnë se janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme në ndërtesa, si dhe në të gjitha institucionet shëndetësore, shkolla dhe kopshte dhe tashmë janë të gatshëm për fillimin e sezonit të ngrohjes. Për momentin prej 2.000 konsumatorëve të mundshëm, në rrjet janë të kyçur 484 në 28 objekte banesore.
FLORIJE KAMBERI
