Maqedoni

Raporti final për foshnjën 14-muajshe dhe lehonës, Taravari: Ka munguar vlerësimi profesional

14.10.2024 16:16

Lëshime sistemore, teknike dhe profesionale janë tre lëshimet e shënuara në raportin final...

Lëshime sistemore, teknike dhe profesionale janë tre lëshimet e shënuara në raportin final, sa i përket vdekjes së foshnjës 14 muajshe. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se në bazë të raportit final, është konstatuar se kanë munguar algortime për triazh të pacientëve gjatë pranimit, nevoja për edukim të mjekëve që punojnë në këto klinika, ndërsa në aspekt të gabimeve teknike kanë konkluduar se mungojnë pajisjet për respiracion, si dhe videolaringoskopi, i cili ndihmon gjatë intubimit të pacientëve. Lëshime ka pasur edhe gjatë transportit të fëmijës prej njërën në tjetrën klinikë dhe më e rëndësishme, ka munguar vlerësimi i duhur, i saktë, profesional, për të vendosur se kur duhet pranuar foshnja në mjekim spitalor.
 
“Në aspektin profesional, komisioni profesional ka sjellë konstatim se ka një lëshim për vlerësimin e pranimit të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë në kontrollin e dytë, që është bërë më 3 tetor, ndërsa në Kozle është konstatuar reagim joadekuat dhe jo në kohë për vlerësimin e rëndësisë për pasqyrën klinike te fëmija 14-muajshe.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Raporti final i komisionit urgjentisht do t’u dërgohet klinikave të apostrofuara dhe odës së mjekëve, për të cilën Taravari mendon se do të ndërmarrin masa lidhur me këtë rast. 
 
“Ne si Ministri e Shëndetësisë menjëherë do të ndërmarrim masa adekuate lidhur me këtë rast dhe ne jemi të obliguar fillimisht këtë raport me të gjitha konkluzionet ta dërgojmë në Klinikën e Pediatrisë dhe masa e dytë që do të ndërmarrim është që po të njëjtin raport t’ia dërgojmë Odës së Mjekëve, respektivisht komisioni etik, ku shpresoj që të dy komisionit do të ndërmarrin masa.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Sa i përket lehonës 31-vjeçare, e cila ndërroi jetë pas lindjes në spitalin në Kumanovë, komisioni tjetër ka konstatuar disa lëshime administrative, por ato lëshime, tha Taravari, nuk kanë qenë shkak për t’u përkeqësuar gjendja e pacientes. Nuk ka pasur lëshime gjatë pranimit, mjekimit dhe trajtimit të kësaj paciente e as të fëmijës së saj, sqaroi Taravari. 
 
“Konkluzioni i komisionit është se këto lëshime gabime administrative dhe teknike assesi  nuk mund të jenë arsye direkte ose indirekte  për përkeqësimin akut të gjendjes së zonjës që ndërroi jetë. Komisioni gjithashtu konstatoi se në menaxhim prenatal të fëmijës gjatë udhëheqjes nuk ka asnjë lëshim dhe po ashtu konstatoi se gjatë trajtimit ambulator në spitalin e përgjithshëm të Kumanovës nuk ka pasur lëshime dhe nuk janë konstatuar gabime ekipit gjinekologjik.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Më 5 tetor 2024, një vajzë 14-muajshe ndërroi jetë në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve pranë spitalit “Nënë Tereza” në Shkup, teksa paraprakisht nuk ishte pranuar në kohë për mjekim në këtë spital. Shkaku i vdekjes ishte një infeksion i rëndë respirator, ndërsa lehona tridhjetë e një vjeçare, e cila ndërroi jetë në spitalin e Kumanovës, ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore gjatë lindjes dhe është mjekuar dhe kontrolluar rregullisht, por pas disa komplikimeve të papritura ajo ndërroi jetë. 
 
REXHEP QAMILI