Botë
Sulme midis Izraelit dhe Hezbollahut, dhjetëra viktima në një shkollë dhe kamp
14.10.2024 16:44
Dhjetëra viktima dhe të plagosur nga sulmet ajrore izraelit mbi pozicionet e Hamasit, vetëm disa orë para se të bien dakord palët për armëpushim në Gazë...

Dhjetëra viktima dhe të plagosur nga sulmet ajrore izraelit mbi pozicionet e Hamasit, vetëm disa orë para se të bien dakord palët për armëpushim në Gazë për raundin e dytë të vaksinimeve kundër paralizës infantile. Cak i sulmeve ishte një shkollë në Nusejrat dhe në një kamp përballë spitalit “Al-Aksa”. Tel Avivi tha se ka shënjestruar caqe militante që fshihen në mesin e civilëve, por pa asnjë dëshmi për pretendimin. Sirenat e alarmit u aktivizuan në Haifa, ndërsa shpërthime kishte mbi zonën Kafar Kara, derisa Izraeli po zhvillon hetime.
"Ne do të hetojmë se si avioni mund të depërtojë dhe të rrëzohet në bazë pa paralajmërim.", - deklaroi zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniel Hagari.
Ndërkohë në Libanin jugor ka ndodhur një incident i ri me UNIFIL-in, ku tanket izraelite depërtuan në portën e bazës. Kjo është konfirmuar nga Izraeli, të cilët thonë se ishin nën zjarr derisa tanket po përpiqeshin të evakuonin ushtarët e plagosur. Ata publikuan një video të armëve të Hezbollahut të stacionuara 500 metra larg bazës UNIFIL.
"Është shumë e çuditshme se si baza e OKB-së nuk e pa këtë aktivitet të Hezbollahut këtu.", - theksoi komandanti i Divizionit 146 të Forcave Izraelite, Jiftah Nurkin.
UNIFIL-i ka dështuar në përputhje me Rezolutën 1701 të OKB-së, thotë Izraeli, dhe për këtë arsye operacionet do të vazhdojnë. Ata u bënë thirrje paqeruajtësve që të largohen nga zona.
“Situata sa vjen e përkeqësohet. 27 anëtarët ranë dakord t'i kërkojnë Izraelit të ndalojë sulmet ndaj UNIFIL-it dhe të mos fajësojë Guterresin për qëndrimin ose jo të paqeruajtësve, sepse është Këshilli i Sigurimit ai që merr vendime të tilla dhe jo ai personalisht.”, - u shpreh përfaqësuesi i lartë i Unionit për Punë të Jashtme, Xhosef Borrell.
Pas njoftimeve të Tel Avivit për reagimin hakmarrës të Iranit, Teherani është i vendosur se nuk do të ketë vija të kuqe në mbrojtje.
“Ekziston mundësia e konfrontimit kundër agresionit izraelit. Republika Islamike është e gatshme për luftë nëse është e nevojshme, por ne jemi po aq të gatshëm për paqe.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
Irani ka paralajmëruar ShBA-në që të mbajnë forcat e tyre ushtarake jashtë Izraelit, pasi Uashingtoni njoftoi vendosjen e një sistemi të ri antiraketor në rajon.
LEUNORA KALIQI
