Maqedoni
Programi për reduktimin e ndotjes së ajrit, Mexhiti: Duhet të rikthehet projekti i gazifikimit
14.10.2024 18:07
Duhet ta rikthejmë projektin e gazifikimit në vend, në mënyrë që ta reduktojmë ndotjen e ajrit...

Duhet ta rikthejmë projektin e gazifikimit në vend, në mënyrë që ta reduktojmë ndotjen e ajrit, gjithashtu me këtë do të kontribuojmë për të pasur burim më të lirë të energjisë, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë, Izet Mexhiti, në prezantimin e rezultateve të ndotjes së ajrit në pesë komuna – Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë. Mexhiti shtoi se ndotja e lartë e ajrit është edhe në Shkup, me çka përbën rrezik për shëndetin e banorëve, por tha se është duke u angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi.
“Bashkë me organizatat e jashtme, siç është UNDP-ja dhe të tjera, po punojmë fillimisht për diagnostifikimin e situatave, burimeve, të cilat e krijojnë këtë çështje dhe në të njëjtën kohë ka masa për ta përmirësuar gjendjen në bashkëpunim me komunat. Me siguri edhe projektet që ndanë për komunat, pra 100 milionë, shumica e projekteve janë në Ministrinë e Ekologjisë. Në të ardhmen duhet ta rikthejmë projektin e gazifikimit të Maqedonisë, i cili dukshëm do të kontribuojë edhe për ta pasur një burim energjie më të lirë, por edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit.”, - deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Përpjekjet tona për përmirësimin e cilësisë së ajrit kanë filluar shumë më herët, më një numër të madh organizatash dhe institucionesh. Në fazën e parë të projektit i kemi mbështetur 149 amvisëri që t’i ndërrojnë furrat e tyre me sistem efikas, me filtra, janë siguruar inverterë për familjet me status të rrezikuar social.”, - theksoi përfaqësuesi i UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Armen Gregorian.
Trafiku i dendur, punët në ndërtimtari, si dhe ngrohjet individuale nëpër amvisëri janë shkaku kryesor i ndotjes, thonë ekspertët. Analiza është bërë pas monitorimit gjatë gjithë vitit të ndotjes së ajrit.
“Pasi kryesisht i dimë shkaktarët e ndotjes, duhet të fillojmë ngadalë t’i ndryshojmë. Në zonat urbane duhet të kishin ndryshuar deri tani. Në vendet e Evropës nëpër zonat urbane nuk lejohen assesi lëndët e ngurta djegëse, cilado qoftë ajo lëndë, ndërsa këtu nuk ka asnjë ndalesë. Pra, duhet të punojmë që ta ndryshojmë gjendjen.”, - u shpreh rektori në Universitetin “Goce Delçev”-Shtip, Dejan Mirakovski.
Maqedonia e Veriut shpeshherë është radhitur ndër vendet e para në botë me nivel të lartë të ndotjes së ajrit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
