Botë

Sveçla: Xhandarmëria serbe shkel vijën ndarëse në kufi

15.10.2024 14:28

Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare...

Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu referuar prezencës së katër pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë. Sveçla thotë se kjo nuk është hera e parë kur xhandarmëria serbe shkel vijën ndarëse, por ai siguron se institucionet e sigurisë në Kosovë janë të gatshme të ballafaqohen me çdo shkelje të tyre.
 
“Janë afruar në pikën e përbashkët kufitare, por edhe kanë shkel vijën ndarëse, me çka ata bëjnë edhe shkeljen e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si një dëshmi shtesë se Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar, pavarësisht marrëveshjeve të cilat ajo i ka nënshkruar ndër vite.”, - deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
 
Sveçla: Serbia ka aspirata hegjemoniste ndaj Kosovës
 
Sveçla njëherit thekson se Serbia ka aspirata hegjemoniste ndaj Republikës së Kosovës.
 
“Është e qartë se Kosova është e rrezikuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë. I gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre, të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por janë edhe kriminale në realitetin tonë.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
 
Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën rreth orës 18:20 te pala serbe është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë, që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe. Në njoftim thuhet se nga vetura kanë dalë katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të cilët kanë qëndruar rreth 10 minuta tek hyrja e objektit te pala serbe. 
 
GYLTENE SINANI