Maqedoni
Sot ka filluar sezoni i ngrohjes qendrore, EMV: 96 objekte s'kanë siguruar kushtet për ngrohje
15.10.2024 15:03
Filloi sezoni i ngrohjes për konsumatorët e kyçur në sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit përmes EMV-së...

Filloi sezoni i ngrohjes për konsumatorët e kyçur në sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit përmes EMV-së, që do të zgjasë deri më 15 prill 2025, me mundësi të vazhdimit për edhe 15 ditë varësisht nga temperaturat e jashtme. Në krahasim me sezonin e kaluar kur në 225 objekte nuk ishin siguruar kushtet e nevojshme për furnizim të energjisë termike, tani ngrohja qendrore mungon në 96 objekte, njoftojnë nga EMV-ja. Ata u bëjnë thirrje bashkësive të pronarëve dhe konsumatorëve që të rregullojnë defektet sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që t’u sigurohet energji e ngrohjes.
"Prej tyre, në 57 objekte ka defekte në instalimin e brendshëm, në 20 objekte nuk ka qasje në termocentrale dhe në 19 objekte - termocentralet nuk kanë energji elektrike. Luten konsumatorët dhe bashkësitë e pronarëve që të heqin sa më shpejt defektet e instalimeve të brendshme të ngrohjes dhe të sigurojnë qasje të papenguar në termocentrale, si dhe furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike.", thuhet në njoftimin e EMV-së.
Lëshimi i energjisë termike për konsumatorët do të kryhet nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën 22:00, “duke ndjekur rregulla dhe diagrame të vendosura rreptësisht në varësi të kushteve atmosferike dhe temperaturave të jashtme.
“Sipas këtyre rregullave, në tetor dhe në gjysmën e parë të nëntorit, kur kushtet e motit janë të ndryshueshme, furnizimi me energji termike do të varet nga temperatura e ajrit dhe kushtet atmosferike në periudha të ndryshme të ditës. Në të njëjtën kohë, nëse temperaturat e jashtme janë më të ulëta, shpërndahet një sasi më e madhe e energjisë termike dhe anasjelltas, në mënyrë që përdoruesve t'u sigurohet rehati dhe ngrohja e shtëpive sipas standardeve, pra temperatura në shtëpi jo më të ulëta se 20 ose 21 gradë Celsius.".
Nga gjithsej 62.579 konsumatorë aktivë të lidhur me ngrohje qendrore përmes EMV-së, 61.486 janë amvisëri dhe 1.093 janë objekte dhe institucione afariste, ndërsa rreth 1.980 konsumatorë furnizohen përmes filialit EMV-Energjetika.
FLORIJE KAMBERI
