Maqedoni

Integrimi, Qeveria do të vazhdojë të zhbllokojë procesin

15.10.2024 15:10

Qeveria e vendit me vlerësim pozitiv përparimin e Shqipërisë drejt BE-së...

Qeveria e vendit me vlerësim pozitiv përparimin e Shqipërisë drejt BE-së, por duke ripërsëritur angazhimin për zhbllokimin e procesit eurointegrues. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, theksoi se në këto momente nuk mungon mbështetja gjermane.
 
“Urojmë Shqipërinë për nisjen e bisedimeve, por njëkohësisht shprehim keqardhje për gjendjen në të cilën është shteti ynë. Kryeministri dha detaje për bisedimet në kuadër të procesit të Berlinit. Ai theksoi se nga Gjermania ka marrë mbështetje të fuqishme për vazhdimin e procesit eurointegrues. Prezantuam pozicionet tona kundrejt bllokadës dhe si Qeveri do të vazhdojmë të bisedojmë për të njëjtën, t’i prezantojmë qëndrimet tona dhe të zhbllokojmë procesin.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
 
Ahmeti fajëson pushtetin për ngecje
 
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm lajmin për çeljen e kapitullit të parë negociues të Shqipërisë, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët e rajonit. Nuk ka munguar komenti për ngecjen e Maqedonisë së Veriut në këtë rrugë.
 
“Uroj që Shqipëria të punojë fort për anëtarësim në BE në vitin 2030. S’ka se si mos të përmend dëshpërimin që Maqedonia e Veriut nuk është sot në krah të Shqipërisë si pasojë e moszbatimit të kornizës negociuese të miratuar nga Këshilli i BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.”, shkruan Ahmeti në Fejsbuk.
 
LSDM: Qeveria të dalë me plan veprimi
     
As socialdemokratët nuk kanë kursyer akuza në adresë të Qeverisë si shkaktarë të dështimit eurointegrues të vendit. LSDM-ja kërkon nga Qeveria alternativë.
 
“Askush tjetër nuk është fajtor, përpos Mickoskit dhe VMRO – DPMNE-së. LSDM-ja anëtarësoi vendin në NATO dhe e shpiu para pragut të BE-së. VMRO – DPMNE-ja nuk e bëri hapin e fundit vetëm për interesa personale të Mickoskit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Tani pushteti duhet të dalë para qytetarëve, të kërkojë falje dhe të thotë se cila është alternativa?”, thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë thuajse një vit janë në procedurë parlamentare, me debat të shterur, por në mungesë konsensusi pa u finishuar me votim.
 
MERAL ISMAILI