Maqedoni
Shqipëria nisi me hapjen e klasterëve, Murtezani: Zgjerimi po vazhdon, nxitje për ne
15.10.2024 15:24
Mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapja e grupit të parë të kapitujve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian...

Mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapja e grupit të parë të kapitujve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, përveç që shënon ditë historike, është edhe një dëshmi e Bashkimit Evropian se politika e zgjerimit vazhdon, bashkë me të edhe besueshmëria që këtij treni evropian t’i bashkëngjiten edhe vendet tjera aspiruese, vlerëson ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. Nga Berlini për TVM2, Murtezani bën apel politik që të gjendet zgjidhje për ta tejkaluar bllokadën e rrugës integruese dhe ky moment për Shqipërinë të kuptohet si nxitje e punës së brendshme politike, që do të reflektojë në procesin e strategjisë shtetërore, thotë i pari i resorit për integrime.
“Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia është mesazh i qartë se zgjerimi i BE-së është duke ndodhur me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Ky duhet të jetë një motiv shtesë për ne që të fokusohemi sa më shpejt në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do e zhbllokojë rrugën tonë drejt BE-së. Në të gjitha takimet e larta, përfshi edhe takimin me kancelarin Sholc, kemi marrë një mbështetje si Maqedoni e Veriut për të vazhduar më tutje. Shpresoj që e gjithë kjo mbështetje që e kemi si shtet, së shpejti të rezultojë edhe me zhbllokimin e integrimit tonë në BE.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
Neziri: RMV-ja po ngec, të punojë në kushtet
Edhe për analistët politik, hapja e klasterit të parë “Vlerat Fundamentale” mes Tiranës dhe BE-së, konfirmon dinamikën e zgjerimit dhe mospasjen e kundërshtimeve mes vendeve të Unionit për këtë proces. Njohësi i kësaj fushe, Xhelal Neziri, thekson nevojën e përkushtimit të Maqedonisë së Veriut në kushtet e dala nga propozimi francez, në mënyrë që vendi të mos mbetet në grupin e vendeve ballkanike me probleme serioze, siç është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
“Me këtë, Shqipëria në fakt i bashkëngjitet grupit të Malit të Zi dhe Serbisë, një grup më i avancuar në procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut si duket do të duhet të presë dhe të punojë më seriozisht në ndryshimet kushtetuese, pra, duhet të përmbushë kushtin e propozimit francez. E ka shansin që në periudhën e ardhshme të zgjedhë se në cilin grup do të vazhdojë rrugën drejt integrimit, do të vazhdojë me grupin e parë që besohet se deri në vitin 2030 do të jenë në BE apo me grupin e dytë, të cilët nuk dihet kur realisht do të bëhen pjesë e Unionit.”, - u shpreh analisti politik, Xhelal Neziri.
Përkujtojmë se në korrik të vitit 2022 u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, atë kohë si dy shtete në pako në rrugën eurointegruese, gjersa më 15 tetor, Shqipëria zyrtarisht ndau rrugën me vendin tonë, duke u avancuar me fazën e dytë të integrimit, hapjen e klasterëve me Bashkimin Evropian, përderisa Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet peng i mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, që konsiston me përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
