Botë
Bisedimet me BE-në, Shqipëria hap kapitullin e parë
15.10.2024 16:05
Nga kjo e martë, Shqipëria nis fazën praktike drejt Bashkimit Evropian....

Nga kjo e martë, Shqipëria nis fazën praktike drejt Bashkimit Evropian. Në Luksemburg u hapën negociatat për grup kapitullin e parë, që lidhet me funksionimin e institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike, saktësisht të ndarë në 5 kapituj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, vend që kryeson presidencën e BE-së, Peter Szijarto, tha se me Ballkanin e integruar, Unioni do të rifreskohet, pasi tashmë e ka humbur besueshmërinë.
“Duhet të ndërmarrim hapa urgjente që të ruajmë besueshmërinë e BE-së. Politika e zgjerimit e ka humbur besueshmërinë. Koha mesatare e pritjes ka kaluar tashmë 15 vjet dhe kjo është e papërshtatshme. BE-ja ka nevojë për freski dhe energji të re dhe e dimë se kjo freski do të vijë nga Ballkani.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto.
Edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varheji, nënvizoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Është çelur rruga për bisedime thelbësore, që nënkupton se do të negociojmë kushtet që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Pa zgjerimin Evropa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që të bëhet më e fortë. Krahasuar me 2019-ën, kur e nisëm, kemi bërë shumë rrugë të gjatë para.”, - theksoi komisionari për Zgjerim, Oliver Varheji.
Ndërsa Edi Rama tha se më në fund pas 3 poshtërimesh, Shqipëria mori atë që i takon dhe shprehu ambicien që anëtarësimi të bëhet para vitit 2030.
“Tri herë njëra pas tjetrës u poshtëruam. Ishim gati, komisioni tha se ishim gati, dhe brenda sallës me dyer të mbyllura dinamikat ishin të tilla që u poshtëruam, por ajo që nuk të vret të bën më të fortë dhe ja ku jemi sot më të fortë. Por, diçka duhet të dinë, kur shqiptarët bien në dashuri nuk i ndal askush. Është synimi ynë ta mbyllim këtë proces para kësaj dekade, është shumë ambicioze dhe do të kërkojë një volum të jashtëzakonshëm pune. Jam besimplotë që për sa na takon ne do të përmbushim të gjitha standardet. Pastaj natyrisht ka të bëjë më vendimmarrje politike. Nuk duam që Shqipëria të largohet të marrë çantat e të vijë në Bruksel, duam që BE-ja të vijë në Shqipëri.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ministri i Jashtëm hungarez nuk e përjashtoi mbajtjen e një konference të dytë qeveritare brenda vitit në Luksemburg në Qendrën Evropiane të Konventave.
LULJETA NDOKA
