Maqedoni

Mucunski takon shefen e diplomacisë gjermane, RMV-ja do të vazhdojë procesin eurointegrues

15.10.2024 16:15

Shefi i diplomacisë Timço Mucunski ndodhet në Berlin, ku ka takuar homologen gjermane Analena Berbok....

“Jemi të përkushtuar për integrimin e vendit në BE dhe për këtë kemi bërë edhe kompromise të dhimbshme, por më pas jemi përballur me kushte të reja.”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, gjatë takimit në Berlin me ministren Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok. Ai tha se Qeveria e re ka ambicie për ta çuar përpara këtë proces dhe se Gjermania është aleat dhe mbështetësi më i fuqishëm në këtë proces.
 
“Vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm si një aktor aktiv dhe i besueshëm në procesin e integrimit evropian. Ky është një element i rëndësishëm dhe një mjet tërësisht i plotësuar për zhvillimin e shtetit në drejtim të vlerave tona strategjike. Këtë takim jemi duke e zhvilluar në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa Gjermania është aleati dhe mbështetësi ynë më i fuqishëm. Në 20 vitet e kaluara kemi bërë përpjekje serioze, kemi bërë reforma të mëdha, kemi pasur suksese të shumta, kemi pranuar edhe kompromise të dhimbshme. Duam që vendi të ecë përpara, kemi plan, ka angazhim nga Qeveria e re. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën e kompromisit që ta shtyjmë vendin përpara, por gjithashtu theksuam se vazhdimisht kemi bërë kompromise, ndërsa në këmbim të kësaj jemi përballur me pasiguri.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe tregti të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok, thotë se përderisa BE-ja vendos unanimisht, Maqedonia duhet të respektojë kompromiset dhe të fusë bullgarët në Kushtetutë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE dhe se sipas saj ky është kushti i fundit. 
 
“Ne bashkërisht mundemi që t’i zgjidhim çështjet e hapura mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, t’i inkurajojmë palët. Rregullat në BE janë të tilla, vendosen unanimisht dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë padrejtësi. Ne nuk jemi dakord me partnerët tanë evropianë për gjithçka, por këto janë rregullat. Përderisa nuk ndryshohen ato rregulla, për të cilat unë personalisht qëndroj, ato duhet të respektohen. Përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën tuaj është hapi i fundit për hapjen e klasterit të parë negociator me BE-në.”, - theksoi ministrja Federale e Punëve të Jashtme, Analena Berbok.
 
Takimi vjen një ditë pas samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në kryeqytetin gjerman, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për disa marrëveshje, që duhet të përmirësojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe arsimit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU