Maqedoni
Akademikët shqiptarë, takim me krerët e komunave që udhëhiqen nga VLEN-i
15.10.2024 16:33
Krerët e katër komunave që udhëhiqen nga VLEN-i në komunën e Tetovës kanë mbajtur një takim me Shoqatën e akademikëve shqiptarë...

Krerët e katër komunave që udhëhiqen nga VLEN-i në komunën e Tetovës kanë mbajtur një takim me Shoqatën e akademikëve shqiptarë. Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se komunat që udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, që janë pjesë e VLEN-it do të financojnë këtë shoqatë, me qëllim që Akademia shqiptare në Maqedoni të bëhet realitet. Reagimi i Mickoskit për këtë akademi nuk ka qenë edhe i ashpër sikurse ka qenë reagimi i partive maqedonase kur u bë hapja e UT-së, tha Kasami.
“Unë do të falënderoj partnerin e koalicionit që ka dhënë mendimin e tij, por reagimi ka qenë shumë më ndryshe kur u nis Universiteti i Tetovës. Në këtë rast është mendimi i çdokujt, për çdo projekt që ndodh, prandaj e tha edhe profesori, ne e hapim këtë debat, nuk është ideja kundër askujt, është ideja që edhe shqiptarët e Maqedonisë të jenë të përfaqësuar në nivelin akademik.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Akademisë, Hasan Jashari, ndër projekte e para që do të financohen nga komunat është një analizë për PISA testet, pasi që shkollat shqiptare janë me rezultate më të dobët për këtë. Qëllimi i akademisë nuk është të nxisë reagime politike, tha Jashari.
“Ne me kryetarët e komunave nuk kemi bërë asgjë tjetër veç se e zhvillojmë dialogun shoqëror. Ka të bëjë me atë që të gjitha segmentet e shoqërisë të sensibilizohen dhe neve të na shohin si miq e jo si armiq. Ne kemi pasur përvoja të errëta në të kaluarën kur ka qenë Universiteti i Tetovës dhe të gjithë kanë pasur një rol diskutabil.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës Akademike Shqiptare, Hasan Jashari.
Në takimin e sotëm nuk kanë marr pjesë kryetarët e komunave të udhëhequr nga kuadro të BDI-së. Ata thonë se nuk kanë pasur ftesë për të qenë pjesë e këtij takimi.
VISAR SADIKI
