Botë

Regjistrimi në Mal të Zi, 41% janë deklaruar malazezë, 32.9% serbë, 9.45 boshnjakë, 4.97% shqiptarë

15.10.2024 17:07

Drejtoria e statistikës në Mal të Zi ka publikuar rezultatet e regjistrimit të vitit të kaluar...

Drejtoria e statistikës në Mal të Zi ka publikuar rezultatet e regjistrimit të vitit të kaluar sipas të cilave në këtë shtet 41.1 për qind e qytetarëve apo 256 mijë e 463 qytetarë deklarohen si malazezë; 32.9 për qind apo 205 mijë e 370 qytetarë deklarohen si serbë; 9.45% boshnjakë; 4.97% shqiptarë; 2% rusë dhe 1.6% myslimanë. Rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan. 
 
Krahasuar me regjistrimin e parafundit të vitit 2011 si malazezë ishin deklaruar 45 për qind dhe rreth 29 për qind ishin serbë. Ndërsa numri i shqiptarëve në vitin 2011 ishte 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë deklaruar 30 mijë e 978 shtetas të Malit të zi. Në Mal të Zi aktualisht jetojnë 623 mijë e 633 banorë apo 0.6% më shumë se në vitin 2011.
 
Në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe. Sipas besimit fetar, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë - 71.1%, myslimanë - 20% dhe katolikë - 3.2%.
 
Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.
 
Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve. Për muaj të tërë, forcat dhe mediat proserbe e proruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë. Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.
 
BELINDA KOKA ADEMI