Botë
Izraeli vazhdon sulmet në Gazë dhe Liban, reagime për hyrjen me forcë në pozicionet e UNIFIL-it
15.10.2024 17:14
Sulmet e ushtrisë izraelite kanë vrarë të paktën 40 palestinezë përgjatë Rripit të Gazës...

Sulmet e ushtrisë izraelite kanë vrarë të paktën 40 palestinezë përgjatë Rripit të Gazës, teksa forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet në Jabalia në veri të enklavës, duke shkatërruar disa shtëpi dhe kampin më të madh të refugjatëve të Gazës. Gjithashtu, nga një shpërthim masiv, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë raportohet edhe për të paktën 21 persona të vrarë dhe tetë të plagosur nga një sulm të rrallë izraelit në veri të Libanit në një fshat me shumicën e banorëve të krishterë.
Ndërkohë, reagimet nuk kanë të ndalur pas akuzave të paqeruajtësve të OKB-së në Liban se tanket izraelite hynë me forcë në një nga pozicionet e tyre në kulmin e operacionit tokësor. Italia, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania në një deklaratë të përbashkët kërkuan që të gjitha palët të garantojnë sigurinë e UNIFIL-it në çdo kohë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi që të respektohet e drejta ndërkombëtare humanitare.
“Sulmet kundër paqeruajtësve shkelin ligjin ndërkombëtar dhe mund të përbëjnë një krim lufte. Sekretari i Përgjithshëm u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim që rrezikon paqeruajtësit tanë.”, - deklaroi zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.
Pretendimet se Izraeli sulmoi qëllimisht paqeruajtësit janë krejtësisht të rreme, thekson kryeministri Netanjahu. Ai përsëri kërkoi që paqeruajtësit të largohen përkohësisht nga zona luftarake përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.
“Ditën që Izraeli filloi operacionin tokësor në kufirin tonë me Libanin, ne u thamë atyre konkretisht: “Ju lutemi të largoheni nga kjo zonë, që të mos lëndoheni!”. Hezbollahu përdor objektet dhe pozicionet e UNIFIL-it si mbulim, ndërsa sulmon qytetet dhe komunitetet izraelite.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Nga misioni i OKB-së thonë se do të qëndrojnë në Liban, pavarësisht thirrjeve nga Izraeli për të lëvizur për shkak të intensifikimit të luftimeve.
“Kishte disa sulme të qëllimshme ndaj ushtarëve tanë, ndërsa paqeruajtësit u plagosën. Pra, kjo nuk është vetëm një shkelje e rezolutës 1701, është gjithashtu një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndërsa palët kanë detyrimin të mbrojnë paqeruajtësit dhe të garantojnë sigurinë e popullit tonë.”, - u shpreh zëdhënësi i Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban, Andrea Tenenti.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se zbuloi një kompleks nëntokësor 800 metra të gjatë në Libanin jugor që shërbente si qendër komandimi për forcat e Hezbollahut.
“Tani jemi në bunkerin që e gjetëm nën një shtëpi libaneze në një fshat shiit, vetëm pak kilometra larg kufirit tonë. Bota është një vend më i mirë pa Hezbollahun. Bota është një vend më i mirë pa liderin e tyre Nasrallah. Dhe të gjithë armiqtë tanë duhet ta dinë se ne jemi të vendosur të garantojmë sigurinë e qytetarëve tanë.”, - theksoi një zëdhënës i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Ndryshe, më shumë se 400 mijë fëmijë në Liban janë zhvendosur në tre javët e fundit, tha një zyrtar i lartë i agjencisë së fëmijëve të OKB-së, duke paralajmëruar për një “brez të humbur” në vendin e vogël, që po përballet me kriza të shumta dhe tani në mes të luftës.
BELINDA KOKA ADEMI
