Izraeli godet disa lagje të Bejrutit
Të paktën një raketë izraelite ka goditur lagjet...

Të paktën një raketë izraelite ka goditur lagjet në jug të Bejrutit në orët e para të së mërkurës, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë shkallën e sulmeve izraelite në këtë qytet.
Ushtria izraelite, në anën tjetër, ka thënë se ka kryer sulm drejt një magazine të armëve të Hezbollahut në lagjen Daniheh të Bejrutit.
“Para sulmit janë marrë hapa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve.”, ka thënë ushtria izraelite.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike, që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Thirrjet për evakuim kanë prekur më shumë se çerekun e Libanit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dy javë pasi Izraeli ka nisur inkursion në jug të shtetit, me arsyetimin se po lufton infrastrukturën e Hezbollahut.
Disa shtete perëndimore po kërkojnë armëpushim mes fqinjëve, por edhe në Gazë, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Izraelin dhe do të dërgojnë sisteme për mbrojtje raketore dhe trupa ushtarake.
Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin - grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Gazë.
