Isnik Alimi në formacionin më të mirë të LK, bashkë me të edhe kapiteni i Kosovës

16.10.2024 12:39

Mesfushori strugan te përfaqësuesja e Maqedonisë, Isnik Alimi...

Mesfushori strugan te përfaqësuesja e Maqedonisë, Isnik Alimi, është përfshirë në formacionin më të mirë të Ligës së Kombeve, ndërsa bashkë me të edhe kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy bënë paraqitje shumë të mira në ndeshjet e tyre të fundit në kuadër të Ligës “C” të Kombeve.

Alimi përveç golit të shënuar ndaj Armenisë, ai asistoi edhe në golin e parë të shënuar  nga Bojan Miovski, duke konfirmuar formën e mirë nëpër të cilën po kalon. Një gjë e tillë nuk ka mundur pa u vërejtur edhe nga UEFA, që emrin e struganit e ka vendosur në 11-shen më të mirë, duke e vlerësuar atë me notën 8.8.

Përveç Alimit, në formacionin më të mirë të Ligës së Kombeve të përzgjedhur nga UEFA, ndodhet edhe Amir Rrahmani.

Mbrojtësi i “Dardanëve” bëri një super paraqitje në fitoren e mbrëmshme të Kosovës ndaj Qipros (3:0), duke arritur madje edhe të shënojë.

Futbollisti i Napolit shënoi golin e parë të takimit, ndërsa dy golat tjerë për Kosovën mbajnë firmën e Ermal Krasniqit dhe Emir Sahitit.

Amir Rrahmani ishte vlerësuar me notën 8.4.