Botë

Luftime në Lindjen e Mesme, OKB-ja dhe DASh-i ftojnë palët në armëpushim

16.10.2024 14:00

Luftimet dhe sulmet me raketa në Lindjen e Mesme nuk kanë të ndalur....

Luftimet dhe sulmet me raketa në Lindjen e Mesme nuk kanë të ndalur. Nga ofensiva e radhës, shefi i operacioneve të dronëve të Hamasit u vra në Gazën veriore. Urdhërohet evakuimi i njerëzve urgjent në Libanin jugor për shkak të sulmeve izraelite. Shpërthime të raportuara në Bejrut dhe Nabatije, mes viktimave edhe kryetari i bashkisë, konfirmuan autoritetet libaneze. Hezbollahu ka kërcënuar se izraelitët do të duhet të zgjedhin midis një armëpushimi ose shkatërrimi të tyre.
 
“Armiku izraelit ka vendosur të synojë të gjithë Libanin, që do të thotë se ne mund të synojmë çdo pikë në Izrael. Ne do të fokusohemi te ushtria, bazat dhe kazermat e saj. Kjo është arsyeja pse unë i them frontit të brendshëm izraelit, zgjidhja është ndërprerja e zjarrit. Ne nuk flasim nga një pozicion dobësie.”, - deklaroi nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qasem.
 
Shtabi i Përgjithshëm i Izraelit pretendon se Hezbollahu është në rrezik dhe është e nevojshme të vazhdojnë operacionet ushtarake për të ushtruar më shumë presion mbi ta. Plani i hakmarrjes së Izraelit për Iranin ra dakord në Tel Aviv. Ministri i Mbrojtjes konfirmoi se janë të fokusuar tek reagimi. 
 
“Nuk kemi ndërmend të pësojmë shkelje të sovranitetit pa reaguar. Përgjigja do të jetë e saktë, e dhimbshme dhe befasuese për Iranin.”, - theksoi ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant.
 
Irani në një shënim paralajmërues tha se Teherani është i gatshëm të hakmerret ashpër nëse Izraeli vazhdon sulmet. OKB-ja përsëriti thirrjen për një armëpushim.
 
"Ne përsërisim thirrjet tona për një armëpushim të menjëhershëm, duke vënë në dukje se kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e paqeruajtësve, si dhe për të mbrojtur popullsinë e Libanit dhe Izraelit nga vuajtjet e mëtejshme.", - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
Agjencia paralajmëron gjithashtu për katastrofën humanitare në veri të Gazës. ShBA-ja me një ultimatum për Tel Avivin - ose të përmirësojë rrjedhën e ndihmave humanitare në enklavë ose të humbasë mbështetjen ushtarake.
 
“Izraeli ka bërë ndryshime edhe më parë. Ne e dimë se është e mundur të dërgohet ndihma humanitare në Gazë. Ne e dimë se pengesa të ndryshme logjistike dhe burokratike mund të kapërcehen. Qeveria e Izraelit ka një detyrim për të kapërcyer këto sfida.”, - deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
 
Shqetësim për situatën në Lindjen e Mesme ka shprehur edhe shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, së bashku me kolegët e tij nga vendet e Gjirit që po takohen në Bruksel.
 
FITORE DEMOLLI