Në Gjykatën Penale Shkup vazhdoi gjykimi për rastin e vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Dëshmoi dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, ndihmës shefi i SPB-së, Muzafer Karishiq, i cili aso kohe bënte koordinimin e të gjithë procedurës hetimore për gjetjen e Vanjës. Nga të gjitha takimet e zhvilluara që ka pasur ai me familjarët e Vanjës, për dallim nga deklaratat e nënës së Vanjës, babai i Vanjës ka qenë shumë konfuz për rastin në fjalë. Ai në disa raste i kishte thënë policisë se kot e kërkojnë Vanjën, sepse vajza e tij është e rrëmbyer dhe e vrarë dhe se duhet kërkuar autorët të cilët kërkonin ryshfet.
“Në atë moment kur takuam prindërit, nëna u step. Përshtypja e parë e babait ishte e çuditshme për mua, por edhe për kolegët. Pas bisedës që analizuam, ai ishte konfuz, i dëshpëruar në shumë deklarata dhe shumë gjëra që i pyetëm. Vajza nuk u grind me prindërit e saj. Të gjithë policët, të gjithë oficerët me uniformë, të gjithë u përfshinë në operacionet e kërkimit.”, - tha Karishiq në gjykatë, duke shpjeguar detajisht se si i akuzuari Vllatko Keshishev e ka dërguar atë deri në vendin ku ishte i varrosur trupi i pajetë i Vanjës.
“Vllatko Keshishov tha se do të na dërgojë diku për të na treguar diçka. Kërkoi që të shkojmë vetëm, frikohej nga të tjerët. Thoshte se nëse merr vesh Pallço, do ta vras. Pas bindjes së shkurtër, pranoi dhe tha: Shkojmë. Na dërgoi deri tek automjeti i djegur, deri tek “Citroen”. Filluam gërmimet. E lutëm atë të na tregojë vendin e saktë dhe na tha se këtu e hodhën. Në atë moment ma kapi dorën dhe më tha: Mendoj se këtu është vogëlushja. Ne vazhduam gërmimet deri në momentin ku e pamë hundën dhe njërën këmbë dhe ndaluam.”, - tha Karishiqi në gjykatë.
Të gjitha këto u hodhën poshtë nga avokatët e babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevskit, i akuzuar në këtë rast. Hedhin poshtë dëshminë e ndihmës shefit të SPB-së dhe thonë se ai gënjen dhe nuk e tregon të vërtetën. E vërteta, e cila sipas avokatëve është se ndaj babait të Vanjës është ushtruar presion i vazhdueshëm fizik dhe psikik gjatë gjithë procedurës së kërkimit të Vanjës dhe thonë se në ato momente ai ka qenë tejmase i hutuar.
Avokatët mbrojtës për dëshminë e ndihmës shefit: Ai gënjen, ndaj babait është ushtruar dhunë
“Përsëris dhe e vërtetoj se të gjitha këto që i tha ndihmës shefi nuk janë të vërteta. Çdo gjë është realizuar para syve të tij. Kemi dokumentacion nga një spital privat ku gjatë kontrollit mjekësor janë konstatuar lëndime gjatë periudhës kur Aleksandri ka qenë në polici. Detajet rreth torturës që ai ka përjetuar, do t’i tregojë vetë, por mund t’ju them se po bëhet fjalë për torturë fizike.”, - deklaroi avokati i Aleksandar Gjorgjievskit, Vlladimir Tufegxhiq.
“Sot patëm dëshmi kontradiktore. Nuk janë të qarta disa çështje duke filluar nga angazhimi i policisë në atë moment derisa është zhvilluar hetimi. E para si është e mundur që policia, prej dëshmisë së dhënë të personit kryesor, i cili ka udhëhequr hetimin, të deklarojë se mendoj se është marr dorezë parafine. Në këtë aktakuzë e ngritur ndaj asnjërit prej të akuzuarve nuk është marr dorezë parafine.”, - theksoi avokati, Bojan Manev.
Rrëmbimi dhe vrasja që ndodhën në nëntor të vitit të kaluar, shokoi te gjithë opinionin në vend. Në seancat e kaluara gjyqësore të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, ndërsa i akuzuari i parë i të dyja vrasjeve, Pallevski, tha se ky është rast i montuar politik ndaj tij dhe njëherit tha se nuk e njeh personalisht babain e Vanjës, ndërsa ndërlidhjen mes tyre e ka inskenuar policia.