Maqedoni

Akademia e shqiptarëve në RMV, Mexhiti: Është nismë në dobi të shoqërisë

16.10.2024 14:44

Ideja për ngritjen e Akademisë Shqiptare në RMV është një kërkesë e intelektualëve shqiptarë....

Ideja për ngritjen e Akademisë Shqiptare në RMV është një kërkesë e intelektualëve shqiptarë, pasi këta kanë qenë të përjashtuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në emisionin ZOOM në TVM2. Ai siguroi se VLEN-i do të insistojë në ngritjen e kësaj akademie, pasi themelimi i këtij institucioni të lartë shkencor është i arsyeshëm.   
 
“Paralelisht kjo është edhe një presion mbi AShAM-in t’i hapin dyert nëse duan të jenë akademi gjithëpërfshirëse, edhe e shqiptarëve. Nëse vazhdojnë t’i mbyllin dyert, të rijnë të izoluar aty pa shqiptarët me frymë antishqiptare, atëherë do t’i detyrojnë shqiptarët të mendojnë për solucione të tjera. Fundi i fundit kjo nuk është asgjë tragjike, është thjeshtë një nismë që ka të bëjë me arsim,  me shkencë, që kësaj shoqërie dhe këtij shteti mund t’i sjell vetëm dobi dhe asnjë të keqe, ky është argumenti i parë. Argumenti i dytë është se në këtë shtet ka 34 institute që merren me historinë maqedonase, gjuhën maqedonase, traditën maqedonase dhe ka vetëm një Institut për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.