Maqedoni

Integrimi i RMV-së, BDI: Do të ndjekim instruksionet e qytetarëve

16.10.2024 14:59

Një varg kritikash pas ngecjes eurointegruese të vendit ka drejtuar Bashkimi Demokratik për Integrim në adresë të Qeverisë....

Një varg kritikash pas ngecjes eurointegruese të vendit ka drejtuar Bashkimi Demokratik për Integrim në adresë të Qeverisë. Sipas integristëve, kryefjala e kësaj qeverie janë bërë ambasadorët rus dhe kinez, duke përhapur këtë frymë ndikimi në shkolla dhe investime. Nga BDI-ja nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe paralajmërojnë zhvillime me qytetarët.
 
“Qytetarët nuk kanë qenë asnjëherë më të nënçmuar, poshtëruar, nënvlerësuar, nëpërkëmbur, pa perspektivë evropiane dhe e gjithë kjo ndodh për arsye se humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare kanë hyrë në Qeveri pa legjitimitet si humbës dhe pa asnjë kusht. Ne të gjitha këto do t’ua themi qytetarëve që nga Struga e deri në Likovë dhe më pas do të veprojmë ashtu siç do të thonë ata.”, - deklaroi sekretari gjeneral i BDI-së, Faton Ahmeti. 
 
Ligji për përfaqësim të drejtë, BDI-ja do të përfshihet në debat
 
BDI-ja opozitare nuk kurseu nga kritikat as kryeparlamentarin, Afrim Gashi, duke e parë si shkaktar të kolonave të gjata në kufirin me Kosovën pas shpërthimit të skandalit në vendkalimin Bllacë. Edhe përkundër kritikave për heqjen e “balancuesit”, partia e Ahmetit nuk përjashton mundësinë e përfshirjes në debat për Ligjin për përfaqësim të drejtë.
 
“Pavarësisht paralajmërimeve për debat do të shohim se çfarë ligji do të propozojnë dhe gjithsesi se jemi të hapur për të diskutuar për të parë se çka përmban ajo zgjidhje, ai propozim-ligj.”, - theksoi sekretari gjeneral i BDI-së, Faton Ahmeti. 
 
Akoma nuk dihet konkretisht se kur ligji do t’i nënshtrohet debatit të gjerë, por nga Qeveria janë shprehur se ai sapo të jetë gati do të jetë në duart e gjitha palëve dhe më pas do të kalojë filtrin e Komisionit të Venecias.
 
MERAL ISMAILI