Maqedoni
Eurointegrimi, Mickoski: Nga Berlini u ktheva me optimizëm
16.10.2024 15:11
Kryeministri Hristijan Mickoski është kthyer me përshtypje pozitive nga Samiti i Procesit të Berlinit...

Kryeministri Hristijan Mickoski është kthyer me përshtypje pozitive nga Samiti i Procesit të Berlinit, sidomos lidhur me bisedat që ka zhvilluar me politikanët nga Evropa, që kapin çështjen e integrimit të vendit. Nuk ndan publikisht me opinionin se çka në fakt ka biseduar me zyrtarët evropianë atje, por vetëm zbulon se ka shtuar optimizmin.
“Patëm takim që më bëri më shumë optimist nga ajo sa isha para takimit. Në margjina të drekës së punës, por edhe në takimet tjera që i patëm, shoh se ka iniciativa të cilat i përmendi vetë ministrja Berbok në preskonferencë pas takimit me ministrin Mucunski dhe mendoj se tërë ajo që e udhëhoqa si bisedë, mesazhin që e përcolla dhe mesazhin që e mora, ka dhënë vlerë po qe se krahasohet para shkuarjes sime atje. Për interes të bisedimeve dhe pritjeve që i kam për të ardhmen në drejtim të asaj se si do të rrjedhin punët, nuk do doja të ndaj publikisht detaje, por jam shumë më shumë optimist.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Takimet e kryeministrit Mickoski me zyrtarët evropianë e kanë bërë të hamendur atë nëse do t’ia dërgojë BE-së letrën e paralajmëruar me propozime të reja për vazhdimin e negociatave. Pret që gjërat të diskutohen më thellësisht gjatë vizitës së kryetares së KE-së në vendin tonë të paralajmëruar për 24 tetor.
“Kam dilemë personale, sepse pata mundësi të gjithë t’i njoftoj me pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes së letrës, pra kam dilemë nëse duhet ta dërgoj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
