Plenumi i Nxënësve nuk arrin marrëveshje me ministrin Ademi, bojkoti dhe vendosja e tendave vazhdon
Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme do të vazhdojë bojkotin e mësimit dhe vendosjen e tendave para MASh-it...

Kjo u konstatua pas takimit me ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademin, i cili i ftoi në takim. Sipas përfaqësuesve të plenumit, nuk është arritur marrëveshje nga ky takim, andaj ata do të vendosin tenda para MASh-it deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Ishim dëshmitar të takimit në ministri, katër përfaqësuesit tanë u takuan me kompetentët, ndërsa negociatat vazhdojnë. Nuk kemi arritur zgjidhje, tani për tani bojkoti dhe kampimi mbeten”- deklaroi Aleksandar Nikollovski nga Plenumi i Nxënësve.
“Gjatë ditës së nesërme vazhdon takimi dhe atëherë Plenumi i Nxënësve del me hapat e mëtejshëm. Tani për tani bojkoti dhe kampimi mbeten”- theksoi Ismet Shabanoviq nga Plenumi i Nxënësve.
Ndërkohë, ministri Ademi dëgjoi kërkesat e nxënësve dhe u sqaroi se qëllimi i reformave është të sigurohet arsim cilësor dhe jo reformat të jenë në dëm të nxënësve, duke u bërë thirrje që t’i kthehen procesit mësimor.
“U bëj thirrje nxënësve që të kthehen në bankat shkollore, të vazhdojnë procesin mësimor dhe prindërit të angazhohen bashkë me nxënësit, të ketë proces të rregullt arsimor”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Qeveria në kontinuitet është e përkushtuar ndaj reformave, tha zëvendëskryeministri Peshevski. Sipas tij, u realizua takim për shkak të brengosjes për sigurinë e nxënësve, sepse janë të mitur dhe do të qëndrojnë në tenda. Deri më tani është treguar fleksibilitet ndaj kërkesave të tyre, të cilat detajisht do të shqyrtohen.
“Nuk mund t’u tregoj afat kohor, kërkesa e tyre ishte që t’i pranojmë në takim që të ndërpresin bojkotin. Ne do të tentojmë, nëse ka hapësirë dhe logjikë në kërkesat e tyre, të dalim me propozime të reja, por ne si qeveri kemi treguar deri më tani fleksibilitet dhe ai do të ishte tani në dëm të nxënësve”- u shpreh zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski.
Sipas MASh-it, të gjitha reformat realizohen në interes të përmirësimi të cilësisë së arsimit, ndërsa takimi me Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme. (Flutura Latifi, TVM2)
