Maqedoni

Nisma e VLEN-it për Akademi shqiptare, LSDM: Në këto komuna s’do ta përkrahim buxhetin

16.10.2024 15:25

LSDM-ja opozitare është kundër krijimit të një Akademie paralele të Shkencave dhe Arteve..

LSDM-ja opozitare është kundër krijimit të një Akademie paralele të Shkencave dhe Arteve, sepse kjo për ta do të thotë etnizimi i shkencës dhe krijim i institucioneve etnike. Ky reagim i socialdemokratëve vjen pas njoftimit se katër kryetarë të komunave të VLEN-it do të mbështesin financiarisht projektet e Shoqatës së Akademikëve Shqiptarë.  Ata paralajmërojnë se këshilltarët e LSDM-së në këto komuna nuk do ta përkrahin Buxhetin për vitin e ardhshëm 2025.
 
“LSDM-ja nuk do të mbështesë asnjë paralelizëm në institucione dhe do të kundërshtojë me të gjitha mekanizmat në dispozicion nëpër komuna që shpallin se synojnë ta financojnë këtë projekt me paratë e qytetarëve. Buxheti është i të gjithë qytetarëve për të investuar në zgjidhjen e problemeve dhe jo në krijimin e përçarjeve dhe tensioneve. Këshilltarët e LSDM-së në këto komuna nuk do ta përkrahin Buxhetin për vitin e ardhshëm 2025.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski.
 
Ahmeti: Nuk ia vlen të bëhemi pjesë
 
Të pyetur se a do ta mbështesin iniciativën e VLEN-it, nga BDI-ja thonë se nuk do të bëhen pjesë e një nisme që cenon interesin shqiptar dhe që nga Akademi u shndërrua në Organizatë Joqeveritare. 
 
“Është devalvuar një akademi e paralajmëruar nga niveli i akademisë në nivel të një organizate joqeveritare. Mendoj që nuk ia vlen të bëhemi pjesë e projekteve të tilla, të cilat e devalvojnë atë që përfaqësohet shqiptare, çështjen e akademisë në këtë rast. D.m.th. nuk jemi pjesë e planeve dhe nuk jemi pjesë e projekteve të tilla. Nuk jemi të interesuar për të mbështetur projekte, të cilat cenojnë interesin e shqiptarëve dhe projekte të cilat denigrojnë atë që është shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi Faton Ahmeti nga BDI.
 
Mickoski: Në RMV ka vetëm një akademi
 
Ideja për formimin e Akademisë nuk përkrahet as nga kryeministri Hristijan Mickoski. Ndërsa sa i përket nismës për bashkëfinancim të Shoqatës së Akademikëve Shqiptarë, Mickoski paralajmëroi se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë asnjëherë një buxhet të tillë. 
 
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, Qeverisë dhe Akademikëve të përkatësive të ndryshme etnike është i qartë se në Maqedoni ekziston një Akademi për Shkencë dhe Art. Unë nuk do të doja që paratë e qytetarëve të harxhohen për OJQ-në, por për infrastrukturë, çerdhe, shkolla. Të krijojmë kushte që ata të rinj shqiptarë, maqedonas e të tjerë, që janë larguar nga vendi, të kthehen. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë asnjëherë një buxhet të tillë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN-i ka paralajmëruar se Shoqata Shqiptare për Shkencë dhe Art fillimisht do të financohet nga katër komunat që drejtojnë kuadrot e këtij koalicioni, ndërsa synojnë që në të ardhmen ky institucion të ngrihet në nivel të AShAM-it dhe të financohet nga shteti.
 
SANIJE DURAKU