Maqedoni
100 ditshi i Ministrisë së Drejtësisë, Fillkovi akuzon ish-ministrin: Lloga mori dokumentet e misionit vlerësues të KE-së
16.10.2024 15:47
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, në raportin e tij për 100 ditë qeverisje fillimisht akuzoi paraardhësin e tij, Krenar Lloga...

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, në raportin e tij për 100 ditë qeverisje fillimisht akuzoi paraardhësin e tij, Krenar Lloga. Sipas tij, para se të largohej nga posti ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka marrë me vete nga zyra e Ministrisë dokumentin me rekomandimet e Këshillit Gjyqësor të përgatitur nga Misioni Vlerësues i Komisionit Evropian. Pavarësisht se dokumenti është i klasifikuar, ai është marrë nga paraardhësi i tij dhe Ministria e Drejtësisë nuk e posedon këtë dokument, shtoi Fillkovi. Për mungesën e dokumentit hetimet vijojnë dhe do të ketë përgjegjësi, shtoi ai.
“Ministria e Drejtësisë nuk disponon me dokumentin me rekomandimet e Misionit Vlerësues të Komisionit Evropian në lidhje me Këshillin Gjyqësor. Edhe pse dokumenti është informacion i klasifikuar, ai është marrë nga paraardhësi im, prandaj ministria nuk e ka atë. Kjo procedurë për rastin është në vazhdim e sipër dhe do të kërkohet përgjegjësi.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
I pyetur se cilat do të jenë reformat kyçe pas 100 ditshit të qeverisjes me dikasterin e Drejtësisë, Fillkovi me përgjigje se do të punohet njëkohësisht në ndryshimet e Kodit Penal, reformat në Këshillin Gjyqësor, Ligjin për prokurorë publik. Ministria e Drejtësisë, sipas tij nuk ka prioritete, por punohet në të gjitha çështjet e pazgjidhura njëkohësisht.
“Ne në Ministrinë e Drejtësisë nuk kemi prioritete, sepse kemi shumë probleme të trashëguara për të cilat duhet të veprojmë dhe punojmë për zgjidhjen e tyre sa më të shpejtë dhe për të gjitha këto do të punojmë njëkohësisht. Se sa do të kemi sukses, ju do të jeni dëshmitar i të arriturave tona.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Fillkovi më tej shtoi se shumica e gjykatave funksionojnë me më pak se një të tretën e gjyqtarëve nga numri total dhe për t’u përmirësuar gjendja faktike tani e tutje kufiri i propozuar për pensionim do të jetë mosha 67 vjet, që do të vlejë për të gjithë gjyqtarët.
FLUTURA LATIFI
