Ekonomi
Tarifa e lirë e rrymës, Bislimoski: Nuk do të vendoset orë shtesë
16.10.2024 16:24
Edhe pse më herët ishte paralajmëruar se do të ketë orë shtesë të tarifës së lirë të energjisë elektrike...

Edhe pse më herët ishte paralajmëruar se do të ketë orë shtesë të tarifës së lirë të energjisë elektrike, tani për tani kjo nuk do të ndodhë, ka deklaruar i pari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, duke shtuar se deri në fund të vitit nuk ka kushte për të vendosur një orë shtesë në tarifën e lirë ditore.
“Presim të paraqitet mundësi reale të implementohet orë shtesë e tarifës së lirë. Pasi e kemi futur këtë tarifë të lirë, pasi e kemi rikthyer nga fillimi i vitit të kaluar gjatë ditës dhe jemi i vetmi vend në rajon që ka tarifë të lirë gjatë ditës, besoj se kur të kemi kushte më të relaksuara në tregje do të fusim edhe një orë ose dy shtesë gjatë ditës.", - deklaroi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimoski.
Ngrohja qendrore, Bislimoski: Çmimi i ngrohjes mbetet stabil
Sipas Bislimoskit ka aludime serioze për rritje të çmimit të energjisë elektrike nga janari i vitit të ardhshëm. Nga 15 tetori ka filluar edhe sezoni i ngrohjes. Konsumatorët individual që kanë kalorimetra mund të kursejnë në faturën e ngrohjes në ditët kur moti është i ngrohtë, njoftoi Bislimovski, duke u siguruar qytetarëve se çmimi i ngrohjes në Shkup do të jetë i njëjtë dhe stabil deri në verën e ardhshme.
“Çmimi i ngrohjes do të qëndrojë stabil deri në verën e ardhshme, nëse nuk ka ndonjë ndryshim dramatik me çmimin e gazit, por nuk besoj se do të kemi ndryshime kaq drastike. Tani po hyjmë në përllogaritje me një çmim të gazit natyror rreth 40 euro për megavat orë, nëse ai shkon jashtëzakonisht lart, atëherë mund të flasim për rritje të çmimit të ngrohjes, por nuk besoj se do të kemi ndryshime kaq drastike. Pra, nuk pres ndryshime në çmimin e ngrohjes.”, - theksoi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimoski.
Në Shkup, ngrohja qendrore për sezonin dimëror zakonisht fillon më 15 tetor dhe zgjat deri më 15 prill. Qytetarët shpesh ankohen për problemet me shërbimin e ngrohjes gjatë dimrit. Disa prej ankesave më të zakonshme përfshijnë: ngrohje jo e mjaftueshme, sidomos gjatë periudhave me temperatura shumë të ulëta, ndërprerje të papritura, fatura të larta e të tjera.
ARMEND MURSELI
