Shqipëri–kandidaturat zgjedhore, ambasada e ShBA-ve: Largoni kriminelët nga lista
Në një kohë kur mbarë politika shqiptare kërkon dekriminalizim të kuvendit, nga amerikanët vjen një deklaratë tronditëse...

Donald Lu, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, tha se ka identifikuar mjaft kandidatë me të shkuar kriminale, të cilët janë zgjedhur nga forcat politike për të garuar në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ky pohim bëhet akoma më i prekshëm në një kohë kur deputetë si Mark Frroku apo Tom Doshi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
“Premtuam se do të shqyrtonim listat e kandidatëve për të kërkuar për emra personash që kanë qenë të arrestuar apo të dënuar për krime të rënda qoftë në Shqipëri apo në vende të tjera. Në përgjithësi ndihemi mirë për listat, nga prania e një numri të madh kandidatësh të aftë. Por, kemi identifikuar disa emra me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me përgjegjësi me udhëheqësit e tyre politik”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Donald Lu.
Më tej, Donald Lu tha se Amerika do të japë 500 mijë dollarë për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, më qëllim që të jenë të lira dhe të ndershme.
“Zgjedhjet mund t’i bëjnë të lira vetë shqiptarët. Nxisim gazetarët, OJQ-të dhe qytetarët e thjeshtë të kërkojnë që politikanët të përmbushin kriteret dhe standardet. Të huajt nuk do t’i bëjnë këto zgjedhje të mira, por janë gratë dhe burrat e guximshëm të shoqërisë tuaj civile që do të sigurojnë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”- tha ambasadori i ShBA-ve, Donald Lu.
Paralelisht në komisione po diskutohet dhe për dekriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë, ku gjasat për një proces të tillë nuk duken aspak pozitive. (Luljeta Ndoka, TVM2)
