Botë

Lufta gjenocidale e Millosheviqit, Osmani: Dhuna seksuale, arma më mizore, Krasniqi: Tmerri nuk harrohet

16.10.2024 17:32

Në luftën gjenocidale të Millosheviqit kundër popullit të Kosovës...

Në luftën gjenocidale të Millosheviqit kundër popullit të Kosovës, dhuna seksuale u përdor si arma më mizore që e ka njohur njerëzimi. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me rastin e 25-vjetorit.
 
Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit, tha Osmani.
 
“Historia dëshmoi dhe populli dëshmoi një qëndresë të paepur e të jashtëzakonshme dhe kjo u dëshmua nëpërmjet guximit të të mbijetuarëve për ta ngritur zërin. Treguan një të vërtetë që kombi ynë e ka treguar ndër shekuj. Nuk ka krim që mund ta thyejë shpirtin e një populli, nuk ka. Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet, e dimë se nuk mjafton, thjesht ta kujtojmë të kaluarën, padrejtësitë nuk duhet të kalojnë në heshtje. Lufta për drejtësi nuk është e lehtë, por kjo nuk duhet të na zmbrapsë nga synimi ynë për të krijuar mekanizma edhe më efektivë që mbështesin të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Presidentja vlerësoi Vasfije Krasniqin dhe gratë e tjera kosovare që janë viktima të dhunës seksuale në Kosovë dhe i quajti heroina të vendit. Ndërsa vet Krasniqi foli nën emocione duke theksuar se si njëra nga viktimat vazhdon ta përjetojë trishtimin.
 
“Nuk po mundem t’i kontrolloj emocionet e mija. Kjo mund të jetë vetëm një tregim për të gjithë ju, por për mua në këtë moment po i kthehem 14 prillit të vitit 1999 dhe është diçka që pavarësisht sa kohë ka kaluar, kurrë nuk do të largohet nga unë.”, - theksoi e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi.
 
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mbrojtja e të drejtave të njeriut është mision humanitar. Kurti u shpreh se ka filluar procesi i dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe themelimi i Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
 
GYLTENE SINANI