Botë

Marrëveshja për emigrantët Itali – Shqipëri, në Shëngjin vijnë 16 klandestinët e parë

16.10.2024 18:10

Anija “Libra” e marinës italiane me 16 emigrantë në bord...

Anija “Libra” e marinës italiane me 16 emigrantë në bord, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, zbarkoi në mëngjes në Portin e Shëngjinit.
 
Pas procedurave brenda anijes, emigrantët e shoqëruar nga forcat e sigurisë italiane u vendosen në qendrën pritëse brenda portit të Shëngjinit. Ata do t’u nënshtrohen kontrolleve fizike e shëndetësore e më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit rreth 30 kilometra nga Shëngjini.
 
Operacioni i parë i këtij lloji në Shqipëri u zhvillua nën masa të forta sigurie krahas karabinierëve italianë, perimetrin e sigurisë e ruajnë dhe policët shqiptarë.
 
Një grup i vogël aktivistësh të shoqërisë civile zhvilluan protestë simbolike para ambienteve të Portit të Shëngjinit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj marrëveshjes Rama-Meloni.
Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane, e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por kampi do të zgjerohet në muajt në vijim, pasi deri më tani janë kryer vetëm 70% e punimeve.
 
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, dhe ngjalli shumë debate në të dy anët e Adriatikut, por pavarësisht kundërshtimeve u ratifikua me shumicë votash nga parlamentet e dy vendeve.
 
LULJETA NDOKA